Dita Olimpike mblodhi në sheshin “Nënë Tereza” rreth 150 nxënës nga shkollat “Qemal Stafa”, “Jeronim De Rada” dhe “Hasan Vogli” së bashku me mësuesit e tyre.

Në këtë organizim sportiv ku u prezantua Stafeta e Vlerave me flakën dhe rrathët olimpikë, merrnin pjesë ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi dhe presidenti i KOKSH, Fidel Ylli.

Ministrja Kushi falënderoi organizatorët dhe pjesëmarrësit në këtë aktivitet për promovimin e vlerave të sportit, që shërbejnë për një shoqëri më paqësore e më të shëndetshme.

Gjatë fjalës së saj ministrja shprehu shqetësimin për fëmijët të cilët kalojnë një kohë të gjatë para pajisjeve elektronike, duke shprehur nevojën e përditshme të nxënësve për aktivitete fizike.

“Pjesëmarrja e tyre në sport u jep mundësi të rrisin aftësitë fizike dhe ndërpersonale. Gjithashtu, sporti është një parandalues i mirë i fenomeneve negative shoqërore për të rinjtë, si bullizmi, përdorimi i drogës dhe alkoolit, demonstrimi i sjelljeve të dhunshme”, tha Kushi.

Ndaj dhe vëmendja dhe ndjeshmëria ndaj zhvillimit të sportit shkollor është mjaft e lartë.
Në politikat e zhvillimit të sportit shkollor, MAS u ka kushtuar një vëmendje të veçantë masivizimit të sportit, rritjes së vlerave sportive dhe gjithëpërfshirjes për të gjitha grupmoshat, përfshirë edhe nxënësit me aftësi ndryshe.