Marsi dhe prilli ishin muajt më të nxehtë ose pothuajse më të nxehtë të regjistruar në Azinë Jugore. Vala e të nxehtit u shkaktua nga ndryshimet klimatike, thotë Zyra Meteorologjike e Mbretërisë së Bashkuar.

Valët e të nxehtit si këto, jo vetëm që dobësojnë fuqinë njerëzore, por ato shterrojnë financat, shpesh në mënyra të padukshme. Ky është vetëm një shembull se si ndryshimet klimatike po rëndojnë tek ekonomia dhe varfëria.

Vapa ka qenë brutale për punëtorët e ndërtimit, fermerët dhe këdo që punon në natyrë. Këta sektorë përbëjnë gjysmën e fuqisë së krahut në Azinë Jugore.

Por shumë njerëz nuk kanë zgjidhje tjetër përveçse të punojnë. Njëri prej tyre është indiani Kushilal Mandal që punon në ndërtimtari.

“Edhe nëse është shumë vapë, ne duhet të punojmë. Po nuk punuam do ngelemi pa bukë. Ne punojmë pavarësisht vapës”, thotë ai,

Temperaturat e larta shkaktojnë probleme shëndetësore, dhe në disa raste vdekje për ata që punojnë jashtë. Shumë kantiere pune mbyllen herët, çfarë do të thotë paga më të vogla.

Në mbarë botën po shtohen orët e humbura të punës si rezultat i temperaturave të larta. Një raport i OKB-së thotë se orët e humbura në vitin 2030 do të jenë baraz me 80 milionë vende pune me orar të plotë.

Në një bisedë me Zërin e Amerikës, Teevrat Garg me Universitetin e Kalifornisë thotë se e gjithë bota po preket nga ndryshimet klimatike.

“Këto efekte janë globale, të theksuara dhe të vazhdueshme”, thotë ai.tch