ATSH/ Kryeministri Edi Rama uroi sot të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit.
Kreu i qeverisë publikoi foto nga falja e besimtarëve për herë të parë në Xhaminë e re të Ballies në Elbasan.
“Gëzuar Kurban Bajramin me faljen e besimtarëve për herë të parë në Xhaminë e re të Ballies në Elbasan”, shkroi kreu i qeverise në një postim në rrjetet sociale.
Besimtarët myslimanë festojnë sot Kurban Bajramin, ditë që shënon flijimin dhe sakrificën e njeriut në emër të besimit dhe të dashurisë ndaj Zotit.
Në të gjithë vendin, besimtarët myslimanë e kanë nisur kremtimin e kësaj feste të shenjtë që në orët e para të mëngjesit duke iu drejtuar xhamive për të falur Namazin.
Në Tiranë, qindra besimtarë myslimanë falën Namazin në sheshin “Skënderbej”, por edhe në xhamitë e tjera të kryeqytetit.
Sipas fesë myslimane, riti i faljes së Bajramit të Madh konsiston në dy momente: e para, është lutja nëpërmjet të cilës shprehet adhurimi për Zotin dhe më pas vjen predikimi. Për këtë ditë të shënuar theret një dash apo një dele e rritur, e cila i dedikohet Zotit. Mishi ndahet mes pjesëtarëve të familjes, mes miqve dhe i dhurohet të varfërve.



























