Prindërit dhe edukatorët në zonat e pushtuara nga Rusia në Ukrainën jugore, thonë se autoritetet okupuese po u bëjnë shantazh, për t’i detyruar që të bashkëpunojnë me shkollat pro-ruse, që po krijohen për vitin e ardhshëm akademik.

Burimet thonë për Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë se autoritetet okupuese u thonë banorëve se mund të humbasin të drejtat e tyre prindërore, nëse nuk marrin pasaporta ruse dhe nëse nuk i dërgojnë fëmijët e tyre në shkolla të caktuara.

“Vendasit nuk duan t’i dërgojnë fëmijët e tyre në këto shkolla, por ata janë të frikësuar”, thotë Serhiy Shyshkovskiy, mësues i historisë në rajonin e Hersonit.
“Njerëzit kanë frikë se mos i humbasin fëmijët e tyre… dhe nuk dinë se si t’u përgjigjen këtyre kërkesave”, thotë ai.

“Në qytetin Enerhodar [në pjesën veriperëndimore të rajonit të Zaporizhjas, të kontrolluar nga Rusia] ka pasur presion mbi prindërit dhe fëmijët, në lidhje me respektimin e ligjeve [ruse] për vitin e ardhshëm akademik”, thotë një mësuese në Enerhodar, e cila kërkon të mos identifikohet nga frika e pasojave.

Ajo shton se autoritetet okupuese po rekrutojnë mësues dhe personel tjetër për shkollat që po krijojnë.

“Ata janë në kërkim të personelit, por unë dua të theksoj mungesën e bashkëpunimit nga mësuesit tanë”, thotë kjo mësuese.

Ajo thotë se, me sa di, vetëm dy mësues kanë rënë dakord të punojnë në shkollat e reja.

Autoritetet ukrainase thonë se Moska po përgatitet për një pushtim afatgjatë apo edhe për aneksimin e zonave të Ukrainës që lidhin rajonin lindor të Donbasit – ku Rusia ka nxitur një luftë separatiste qysh në vitin 2014 – me rajonin ukrainas të Krimesë, të cilin Moska e ka aneksuar me forcë, po ashtu në vitin 2014.

Sipas saj, qëllim i rusëve është “shkatërrimi i identitetit kombëtar ukrainas”.
“Kjo është arsyeja përse ata kanë filluar menjëherë të djegin libra për historinë e Ukrainës. Kjo është arsyeja përse kanë filluar të ndërhyjnë në sistemin arsimor dhe t’i shkatërrojnë shkollat tona”, thotë Hrynevych.

Sipas Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës, 1.971 shkolla janë dëmtuar nga koha kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës, më 24 shkurt. Rreth 194 prej tyre janë shkatërruar plotësisht./ Radio Evropa e Lirë

Top Channel