Pak para agimit të 24 shkurtit, gjithçka ndryshoi: për Ukrainën, para së gjithash, por edhe për Rusinë.
Gjërat gjithnjë e më shumë po ndryshojnë edhe për pjesën më të madhe të Evropës sa i përket paqes dhe prosperitetit që ka mbretëruar që nga Lufta e Dytë Botërore.
Pushtimi rus – një përshkallëzim nga lufta në shkallë më të ulët që po vazhdonte në lindje të Ukrainës që nga viti 2014 – ishte i paparashikuar nga shumë njerëz.
Përjashtim këtu bënin Shtetet e Bashkuara, shteti që paralajmëroi se diçka e tillë mund të ndodhte.
Gjashtë muaj pas kësaj, konflikti tani është shndërruar në një luftë shkatërruese, sipas ekspertit ushtarak, Lawrence Freedman.
Ai e përshkroi kështu luftën: “Dy boksierë të dehur, duke shkëmbyer goditje pas goditjeje, por të paaftë për të nokautuar kundërshtarin”.
Por, cilat janë shanset që të ketë një ‘nokaut’ në ditët, javët apo muajt në vijim?
Kjo mund të varet shumë se çfarë ndodh jashtë ringut të boksit, aq sa edhe nga ajo që ndodh brenda tij.
Por, Rusia po ashtu është justifikuar duke pretenduar se po kryhet “gjenocid” ndaj popullatës rusisht-folëse në lindje të Ukrainës, një pretendim që vazhdimisht është hedhur poshtë.
“Qëllimet e këtij operacioni janë të qarta dhe të definuara mirë: Ato janë për të ofruar siguri për Rusinë dhe qytetarët e saj, për të mbrojtur banorët në Donbas nga gjenocidi”, tha Putini gjatë konferencës së sigurisë në Moskë të mbajtur javën e kaluar.
Gjatë fjalimit të njëjtë, Putin tha se konflikti nuk ishte ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, por ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit. Ky pretendim është thënë hapur edhe nga shumë zyrtarë të lartë rusë.
Në një shkrim, Freedman, profesor i Studimeve të Luftës në Kolegjin Mbretëror të Londrës, parashikoi se momentumi në luftë është në anën e Ukrainës.
“Pozicioni i ushtrisë ruse po përkeqësohet dhe mbështetja e Perëndimit për Ukrainën ende nuk është zbehur”, shkroi ai. “Prandaj, këto trende favorizojnë Ukrainën”.
Kremlini “duhet ta kuptojë se sa gjatë mund të vazhdojë të pretendojë se është në rrugën e fitores”, tha ai.
Top Channel



























