Në Spanjë po shtohen zërat që thonë, se gjermanët në vend që të financojnë luftën e Putinit me gaz për t’u ngrohur, më mirë të vijnë ta kalojnë dimrin në Spanjë. A ka kuptim kjo?
Carlos Bernat po e vuan në mënyrë të shumëfishtë krizën aktuale të energjisë. Spanjolli 57 vjeçar punon për një furnizues gjerman automobilësh, ka familjen në Gjermani dhe si menaxher i logjistikës i njeh pasojat e konfliktit me Rusinë në ekonominë gjermane. Por edhe në vendin e tij po propagandohen skenarë horrori për muajt e ardhshëm.
Madridasi i ka ulur kostot e veta të energjisë duke vendosur një panel të ri diellor mbi çatinë e shtëpisë së tij: „Të shohim njëherë, se çfarë do të na sjellë dimri.” Propozimi që u bën ai gjemanëve, të cilët sipas tij do të preken më keq e në vendin e tyre nuk ka 3000 orë diell në vit, është: „Kush ka mundësi duhet ta kalojë dimrin sivjet në Jug.”
Nuk dihet, nëse do të ketë rritje të prenotimeve për udhëtime
Preferenca e gjermanëve për një banesë të dytë në Spanjë është e njohur. Sipas të dhënave të regjistrit spanjoll të pronësisë (Colegio de Registradores de la Propiedad) vitin e kaluar gjermanët kanë qenë investitorët kryesorë në sektorin e pasurive të patundshme, kryesisht në ishujt Baleare, Kanare dhe në rajonin autonom të Valencias. “Ne nuk duhet të vazhdojmë ta financojmë indirekt luftën në Ukrainë përmes ngrohjes sonë me gaz,” mendon Bernat.
Por Bernat nuk është i vetmi, që ka këtë ide. Javët e fundit p.sh. nisën një sërë fushatash ndërkombëtare marketingu që nga ishujt Kanare deri në Costa del Sol për joshjen e pushuesve të përhershëm nga Europa veriore. Si edhe me shumë nisma të tjera spanjollët përpiqen të përfitojnë ekonomikisht nga situata e vështirë e gjermanëve.
Pas një vere rekord hotelet, ofruesit e shtëpive të pushimeve dhe restorantet tani po pqërpiqen të sigurijnë edhe një dimër rekord. Por është e pasigurtë, nëse në kontesktin e mungesës së gazit gjerman do të ketë rritje të prenotimeve për udhëtime. Megjithatë kompania më e madhe turistike gjermane TUI dhe shoqëria ajrore Lufthansa në parashikimet e tyre për këtë vit njoftojnë për një kërkesë të pazakontë të madhe për muajt e ardhshëm të dimrit.
Partia e majtë spanjolle Podemos e konsideron idenë e nomadëve digjital ashtu si edhe shumë shoata të mbrojtjes së mjedisit si jo ekologjike për shkak të rritjes së fluturimeve ajrore turisitke. Sidoqoftë Instituti gjerman për Studimet e Turizimit parashikon, që për shkak të ndryshimit të klimës do të ketë edhe spostim të pushimeve.
Për shkak të valës së të nxehtit pothuajse askush nuk do të preferojë ta kalojë verën në Spanjë. Më shumë do të preferohet pranvera, vjeshta ose dimri. “Kjo do të ishte perfekt pë rtë gjithë, Në verë spanjollët do t’i kenë plazhet në dispozicion për veten e tyre dhe për pjesën tjetë rtë vitit do të sigurojnë mijëra vende pune nëpër hotele dhe gastronomi për shkak të numrit të turistëve të huaj”, mendon Bernat./DW
Top Channel


























