Në SHBA konsumi nuk po i jep më impulse si zakonisht ekonomisë dhe në Kinë kanë efekt negativ kufizimet prej Coronës si dhe tensionet në tregun e imobiljeve.

Kur do të marrë fund inflacioni?

FMN parashikon që inflacioni ndërkohë në shumë vende është në nivelin më të lartë prej disa dekadashdhe në fund të 2022 do të arrijë kulmin. Por ai do të vazhdojë të mbetet në nivel dukshëm të lartë. Në mbarë botën çmimet e konsumit do të rriten me 8,8 përqind dhe në 2023 me rreth 6,5 përqind. Kësisoj parashikimet e deritanishme sërish do të korrigjohen me shifra në rritje. Më 2024 pritet një rritje e çmimeve me 4,1 përqind. Vendet në ekspansion dhe ato në zhvillim do të preken më rëndë se vendet e industrializuara. Për to forcimi i dollarit, aktualisht në nivelin më të lartë prej dy dekadash është një problem i madh.

Në fokus janë aktualisht edhe bankat e rezervave, që së fundi po përpiqen t’i rrisin ndjeshëm interesat për të arritur një zhvillim të qendrueshëm të çmimeve. Sipas FMN-së kjo politikë mund të ketë pasoja, sepse rritja e interesave mund t’i zerë frymën rritjes ekonomike, ndërsa ngurrimi për rritjen e interesave nuk mund ta frenojë inflacionin.

Ngadalësim në tri ekonomitë më të mëdha

 

Qysh përpara prezantimit të raportit vjetor shefja e FMN-së, Kristalina Georgieva, kishte bërë të qartë, se parashikimet për koniunkturën janë ulur. Edhe ajo thekson, se gjendja mund të përkeqësohet edhe më tej, përpara se të nisë përmirësimi. Në sfondin e luftës ruse në Ukrainë dhe të pandemisë pasiguria është ekstremisht e lartë. Mund të ketë më shumë shok ekonomik. “Ne shohim ngadalësim në tri ekonomitë më të rëndësishme në botë”, tërhoqi vëmendjen Georgieva në hapje të mbledhjes vjetore të Bankës Botërore në Uashington. Dobësimi i rritjes ekonomike në SHBA, Kinë dhe në Eurozonë ka pasoja të ndjeshme ndaj ekonomisë botërore.

 

Top Channel