Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka dënuar përpjekjet për aneksimin e paligjshëm të katër rajoneve të Ukrainës nga Rusia, duke kërkuar që Moska të ndryshojë kursin. Tre të katërtat e Asamblesë së Përgjithshme prej 193 anëtarësh, ose 143 vende, votuan në favor të një rezolute që e quajti veprimin e Moskës të paligjshëm, duke thelluar izolimin ndërkombëtar të Rusisë.

Vetëm katër vende iu bashkuan Rusisë në votimin kundër rezolutës Siria, Nikaragua, Koreja e Veriut dhe Bjellorusia. Tridhjetë e pesë vende abstenuan, duke përfshirë partnerin strategjik të Rusisë Kinën, së bashku me Indinë, Afrikën e Jugut dhe Pakistanin. Pjesa tjetër nuk votoi.

Rezoluta e miratuar më 12 tetor deklaron se veprimet e Moskës shkelin sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, janë “në kundërshtim” me parimet e kartës së OKB-së, nuk kanë vlefshmëri sipas ligjit ndërkombëtar dhe nuk përbëjnë bazën për ndonjë ndryshim të statusit të këtyre rajoneve të Ukrainës.

/rtsh.al/