Një ngjarje tragjike ndodhi në Gramsh të premten, aty ku katër anëtarë të familjes Zogu u mbytën në liqenin e Hidrocentralit të Banjës.
Viktimat janë Gazment Zogu, 46-vjeç, dy djemtë e tij 14 dhe 19-vjeç si dhe nipi 20-vjeçar Melis Zogu të gjithë nga fshati Cingar.
Trupat e pajetë të katër pjesëtarëve të familjes Zogu janë gjetur nga kontrollet e polumbarëve të RENEA-s dhe banorëve të fshatit.
Sipas deklarimeve të dhëna nga ana e familjarëve ata kishin ndaluar në fshatin Drizë dhe u futën në liqen për t’u larë. Por më pas ata nuk dolën më nga uji.
Menjëherë drejt vendngjarjes u nisë policia, ku buzë liqenit gjeti dy motoçikleta, tre celularë dhe rrobat e trupit të katër pjesëtareve të familjes Zogu.
Liqeni i Hidrocentralit të Banjës.
Angazhimi maksimal e profesional i Polumbarëve të Reneas bëri të mundur gjetjen dhe nxjerrjen e trupave të pajetë të katër shtetasve të mbytur në liqen, mbasditen e sotme.
Polumbarët e Reneas pas rreth 90 minuta kërkimesh, në kushte të pafavorshme për shkak të errësirës kanë bërë të mundur gjetjen dhe nxjerrjen e trupave të pajetë të 4 shtetasve, që u mbytën pasditen e sotme në liqenin e hidrocentralit të Banjës, ( 46-vjeçarit A. Z., të dy djemve të tij, R. Z., 19 vjeç dhe E. Z., 14 vjeç si dhe të 20-vjeçarit M. Z).
Vetëm pak ditë më parë një tragjedi e ngjashme ndodhi në plazhin Vilë–Bashtovë në Rrogozhinë ku Elvis Halilaj 50-vjeç u mbyt në det së bashku me dy djemtë e tij të mitur.


























