/ATSH/- Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Policia e Tiranës njofton se ka finalizuar operacionin “Shëngjergji” pas një hetimi disa mujor, duke arrestuar 6 persona.
Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Seksionin e Forcës së Posaçme “Shqiponja” në DVP Tiranë.
Në vijim të punës për goditjet e njëpasnjëshme të veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe pas një hetimi disamujor, bazuar në informacionet se shtetasi A. T., në bashkëpunim me disa persona të tjerë merrej me shitjen e lëndëve narkotike (cannabis sativa), Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Seksionin e Forcës së Posaçme “Shqiponja” në DVP Tiranë, zhvilloi operacionin antidrogë të koduar “Shëngjergji”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit: A. T., 35 vjeç, banues në Tiranë (organizatori); J. Ç., 22 vjeç, banues në Tiranë; R. D., 23 vjeç, banues në Tiranë; F. B. (O.), 30 vjeç, banues në Tiranë; R. J., 39 vjeç, banues në Tiranë; Xh. K., 37 vjeç, banues në Tiranë.
Pas mbajtjes në vëzhgim të mjeteve me të cilat këta shtetas po qarkullonin dhe mbi bazën e dyshimit të arsyeshëm se në këto mjete ndodhej lëndë e dyshuar narkotike gati për shitje, në vendin e quajtur Qafë Priskë, në rrugën e Dajtit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar për kontroll dy mjetet me të cilat këta shtetas po qarkullonin.
Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Volkswagen Lupo”, me drejtues shtetasin J. Ç. dhe pasagjer shtetasin R. D., në pjesën e pasme të automjetit, shërbimet e Policisë kanë gjetur tri qese plastike me lëndë të dyshuar cannabis sativa.
Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Golf”, me drejtues shtetasin A. T. dhe pasagjer shtetasit Xh. K., F. B.(O.) dhe R. J., shërbimet e Policisë i kanë gjetur drejtuesit të mjetit shtetasit A. T., 8500 euro dhe 4700 lekë (me të cilat dyshohej se do të blinte lëndën narkotike).
Nga kontrolli i ushtruar në të dyja mjetet janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale: tri qese me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa me peshë 37.5 kg; 8500 euro dhe 4700 lekë; 8 aparate celular. Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike, e kryer në bashkëpunim”. /a.a/