Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, vijoi sot takimet në kuadër të programit “Kuvendojmë për Shqipërinë” në qarkun e Elbasanit.
Në ambientet e Teatrit “Skampa” në qytetin e Elbasanit, Spiropali prezantoi nismën “Kuvend-ON”, një program i cili shtrihet në të gjithë vendin, si një platformë “llogaridhënieje” gjithëpërfshirëse, ku qytetarët nxiten t’i shprehin shqetësimet e tyre drejtpërdrejt kryetares së Kuvendit.
Në aktivitet morën pjesë kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, juristë, mësues, nxënës, pensionistë, të rinj dhe të reja, të cilët diskutuan me Kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropali për problematikat e tyre, çështje ekonomike, sociale, kulturore, për çfarë është bërë dhe çfarë duhet bërë më mirë nga Kuvendi dhe institucionet.
Kryebashkiaku Llatja theksoi gjatë fjalës së tij se ky takim është tejet i rëndësishëm, pasi modelet që kanë nisur duke bashkëbiseduar me qytetarët janë në një tjeter nivel.
“Kemi një bashkëbisedim sot në kuadër të Kuvend On. Ne kemi bërë në Elbasan modele të tilla, kryesisht të fokusuara tek siguria publike. Kemi bërë bashkëbisedimi të ndryshme me qytetarët e tillë si kjo sot. ”
Gjatë fjalës së saj, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, u shpreh se debati publik i shërben demokracisë dhe në Kuvendin e Shqipërisë përcillen vazhdimisht problematikat e qytetarëve, në veçanti gjatë Javës së Gjelbër, kur deputetët gjenden në zonat e tyre zgjedhore.
Kryetarja Spiropali foli edhe për integrimin në Bashkimin Evropian.
“Kuvendi ka një rol shumë të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Të gjitha strukturat parlamentare, Shërbimi për Integrimin Evropian, Komisioni për Çështjet Evropiane, komisionet e posaçme janë angazhuar maksimalisht për realizimin e prioritetit numër një të Kuvendit. Por përmbushja e këtij objektivi kërkon angazhimin e fortë të të gjithëve për integrimin në Bashkimin Evropian. Kuvendi ka rol madhor për këtë çështje dhe të gjithë duhet të jemi bashkë”, u shpreh Spiropali.
Gjatë bashkëbisedimit e morën fjalën të rinj dhe të reja, të cilët ngritën disa shqetësime si dhe i drejtuan pyetje Kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali.