Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Tiranë, ku 24-vjeçarja Rayyan Alwan u gjet e vrarë në një apartament të marrë me qera në rrugën Gjon Buzuku.

 

– Advertisement –

Autori i vrasjes është babai i saj, shtetasi Fadi Alwan. Fillimisht u raportua se 24-vjeçarja u vra nga partneri i saj, por pas hetimeve të kryera në bashkëpunim me policinë gjermane, u zbulua se 49-vjeçari është babai i saj.

 

Sipas pamjeve të regjistruara më 19 shkurt, babë e bijë hynë në aeroportin e Rinasit ku ata paraqitën dokumente greke. Pas daljes nga aeroporti, të dy janë drejtuar për në rrugën “Gjon Buzuku” në Tiranë, ku janë akomoduar në një apartament të marrë me qira.

 

Hetimet tregojnë se më 22 shkurt, 49-vjeçari u largua nga banesa dhe po atë mbrëmje udhëtoi nga Rinasi drejt Greqisë. Policia dyshon se ai ka ushtruar dhunë mbi 24-vjeçaren përpara se ta vriste me thikë, duke e lënë të mbuluar me çarçaf.

 

 

Sipas të dhënave të autoriteteve gjermane, 24-vjeçarja kishte denoncuar në janar të vitit 2024 për dhunë familjare nga prindërit e saj, të cilët nuk ishin dakord me mënyrën e jetesës së saj. Ajo kishte pohuar se ishte dhunuar nga nëna dhe babai pasi nuk respektonte rregullat e fesë islame.

 

Sipas hetimeve, dokumentet greke që kanë hyrë në Shqipëri kanë rezultuar të falsifikuara, ndërkohë që dyshimet janë se babai i viktimës, Fadi Alwan, ka udhëtuar në Liban pas krimit. Pista kryesore që po hetohet nga policia është se ai e ka sjellë vajzën në Shqipëri me qëllim ta ekzekutojë.

 

Interpol Shqipëria po punon ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për lokalizimin dhe kapjen e 49-vjeçarit, i cili kërkohet për ekstradim në Shqipëri. Ndërkohë, rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore ende nuk janë bërë të ditura, pasi ende nuk është përcaktuar data e saktë e vrasjes së 24-vjeçares.