Myftinia e Elbasanit dhe deputetit Florenc Spaho, kanë shtruar iftar për besimtarët myslimanë, të cilët në emër të besimit ndaj Zotit po kryejnë sakrificë nëpërmjet agjërimit. Në këtë iftar morën pjesë Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, deputetia Evis Kushi , drejtues të komuniteteve fetare etj.
Kreu i bashkisë Z.Llatja nepërmjet një postimi ne rrjete sociale theksoi se kisha “kisha nderin të bashkohesha në këtë moment të veçantë reflektimi dhe bashkëjetese. Ky muaj i shenjtë na ofron mundësinë të forcojmë lidhjet tona si komunitet dhe të ndajmë vlerat e dashurisë, mirësisë dhe solidaritetit.”
Gjatë këtij muaji, agjëruesit shmangin nga agimi deri në perëndimin e diellit ushqimin dhe ujin, ndërsa iftari shërben edhe për përcjelljen e mesazheve miqësore mes njëri-tjetrit.
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, vlerësoi Muajin e Ramazanit si muajin më të begatë. Besimi në Zot – tha Mazniku – është mënyra më e mirë për të qenë më të drejtë dhe më tolerantë me veten dhe të tjerët. Rruga e Zotit është rruga që të çon në tolerancë, paqe e dinjitet.
Në fjalën e tij Myftiu i Elbasanit, z. Agim Duka, duke falënderuar pjesëmarrësit në këtë iftar u shpreh se agjërimi i Muajit të Ramazanit është një obligim për të gjithë besimtarët, të cilët në këtë Muaj të Shenjtë i luten Zotit për më shumë mirësi e begati. Ndërsa deputeti Florenc Spahu theksoi se muaji i bekaur i Ramazanit është një muaj i reflektimit dhe i përkushtimit dhe ky përkushtim për një besimtar të vërtetë duhet të vazhdojë gjatë gjithë vitit.
Edlira Xherri Elbasaninews.al