Pas një karriere të gjatë dhe të suksesshme si një nga sulmuesit më të rëndësishëm të Kombëtares Shqiptare të Futbollit, Armando Sadiku ka vendosur të ndalojë për pak kohë. Futbollisti nga Elbasani i cili së fundmi ndërpreu kontratën me ekipin indian “FC Goa” ku ishte aktiv tashmë është një lojtar i lirë. Megjithatë, pavarësisht kësaj ai nuk ka gjasa që të rikthehet të luajë në Abissnet Superiore me ekipin e qytetit të tij të lindjes, AF Elbasani .Në këtë fazë të jetës së tij Armando Sadiku ka zgjedhur të fokusohet plotësisht te familja dhe pushimet duke u larguar përkohësisht nga presioni i fushave të blerta. Ai ka planifikuar të kalojë disa javë pushimi me familjen , prindërit dhe njerëzit më të afërt të tij , duke nisur këtë fundjavë nga Gjermania një udhëtim për në Turqi ku do të shoqërohet edhe nga prindërit e tij. Pas qëndrimit disa ditor në Turqi, ish sulmuesi i kombëtares shqiptare Armando Sadiku do të vazhdojë pushimet në Spanjë, një vend me të cilin ka lidhje të veçanta edhe falë përvojave të mëparshme si futbollist.
Pas këtyre udhëtimeve relaksuese ai do të kthehet në Shqipëri por nuk pritet të angazhohet menjëherë me ndonjë skuadër të re. Më shumë se një pauzë fizike, kjo periudhë për Sadikun do të jetë edhe një fazë reflektimi për të ardhmen e tij si sportist.
Një moment vendimtar pritet të vijë në muajin qershor kur Kombëtarja Shqiptare do të luajë ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Botëror. Pikërisht në këtë periudhë, sipas burimeve të afërta me lojtarin ka gjasa që Armando Sadiku të zyrtarizojë largimin përfundimtar nga përfaqësuesja kuqezi, duke i dhënë fund një epoke të lavdishme që përfshin gola vendimtarë dhe momente historike për futbollin shqiptar ku ai ka lënë gjurmë të paharrueshme.Elbasanasi ,Armando Sadiku do të mbahet mënd edhe si autori i shënimit të golit të parë të Shqipërisë në pjesmarrjen e parë në finalet e kampionatit europian 2016.
Megjithatë largimi përfundimtar nga ekipi kombëtar nuk do të thotë se ai do t’i thotë lamtumirë përfundimisht futbollit. Përkundrazi, Armando Sadiku është ende i vendosur të vazhdojë karrierën e tij në nivel klubesh duke pritur ofertën e duhur për të vazhduar rrugëtimin e tij në futbollin profesionist. Me përvojën dhe emrin e famshëm që Sadiku ka ndërtuar ndër vite ai mbetet një emër i respektuar dhe një lojtar që ende mund të japë shumë në fushën e blertë.Për momentin megjithatë, prioriteti i tij është qetësia, familja dhe një periudhë pushimi mjaft e nevojshme për të pas përfundimit të aventurës me “FC Goa” në Indi.
Nga Fatmir Popja