Llatja: Mbi 350 nxënës do të mirëpriten në ambiente moderne që nga shtator
Punimet për transformimin e shkollës “Fadil Gurmani” në Elbasan po ecin me ritme të larta dhe pritet të përfundojnë brenda verës, në kohë për fillimin e vitit të ri shkollor. Mbi 350 nxënës do të rikthehen në një shkollë krejtësisht të rinovuar, me kushte moderne për mësim dhe zhvillim.
Ky investim i Bashkisë Elbasan përfshin rikonstruksionin e plotë të godinës ekzistuese, përmirësimin e infrastrukturës elektrike dhe sanitare, sistemimin e ambienteve të brendshme dhe të jashtme, si dhe pajisjen me mobilim bashkëkohor. Klasat do të jenë të pajisura me ndriçim natyral, laboratorë funksionalë, kënde për zhvillimin psiko-social, si dhe ambiente të përshtatura për aktivitete jashtëshkollore.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, thekson rëndësinë e këtij investimi për të ardhmen e fëmijëve:
“Transformimi i shkollës ‘Fadil Gurmani’ është pjesë e angazhimit tonë për të garantuar kushte dinjitoze për çdo nxënës në qytetin e Elbasanit. Ne po ndërhyjmë në mënyrë të vazhdueshme në infrastrukturën arsimore, sepse besojmë se vetëm përmes një arsimi cilësor mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për komunitetin tonë.”
Ky projekt ka gjetur mbështetje të gjerë edhe nga komuniteti, i cili e sheh shkollën jo vetëm si qendër të edukimit, por edhe si një pikë të rëndësishme sociale dhe zhvillimore për lagjen përreth. Prindërit dhe banorët janë shprehur të kënaqur me ndryshimet që po ndodhin dhe me përkushtimin institucional që po vihet në zbatim.
Transformimi i shkollës “Fadil Gurmani” është një tjetër hap i Bashkisë Elbasan drejt modernizimit të sistemit arsimor, duke e vendosur mirëqenien dhe edukimin e fëmijëve në qendër të politikave të zhvillimit të qëndrueshëm.