Një aksident fatal ka tronditur botën e garave automobilistike vetëm pak ditë para nisjes së Rally Polonia.

Piloti italian Matteo Doretto, kampion në vitin 2024 për të rinjtë, ka humbur jetën në moshën 21-vjeçare pas një aksidenti të rëndë gjatë testeve të para-garës.

Ngjarja tragjike ndodhi pranë zonës Elganowo, afër qytetit Pasym në Poloni, ku makina Peugeot 208 Rally4 e ekuipazhit italian doli nga rruga dhe u përplas me një pemë. Sipas zëdhënësit të zjarrfikësve të qytetit Olsztyn, Grzegorz Różański, përplasja ishte tepër e dhunshme dhe goditja më e rëndë ishte në anën e shoferit.

Zjarrfikësit punuan për një kohë të gjatë për të nxjerrë Doretton nga kabina, por fatkeqësisht mjekët që mbërritën në vendngjarje mundën vetëm të konfirmonin vdekjen e tij.

Bashkë-shoferi i tij, Samuele Pellegrino, 26 vjeç, arriti të dalë vetë nga automjeti dhe ndodhet në gjendje të qëndrueshme në spital. Ai përjetoi momentet dramatike të përpjekjeve për shpëtimin e mikut dhe kolegut të tij dhe u shtrua në spital në gjendje shoku, si masë paraprake.

Ngjarja ka sjellë një valë trishtimi në komunitetin e garave ndërkombëtare, teksa homazhet për Doretton kanë nisur të mbërrijnë nga pilotë dhe ekipe nga e gjithë bota.

Top Channel