Një tjetër ndërhyrje e rëndësishme në infrastrukturën bujqësore është drejt përfundimit në Bashkinë Elbasan. Në fshatin Vidhas po finalizohet pastrimi i kolektorit kryesor, me një gjatësi prej 2.5 kilometrash, i cili shërben për kullimin e mbi 100 hektarëve tokë bujqësore.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, i cili theksoi se këto ndërhyrje janë thelbësore për zhvillimin rural dhe për garantimin e një prodhimi bujqësor të sigurt dhe të qëndrueshëm.

“Kanale kulluese si ky në Vidhas nuk janë thjesht infrastrukturë teknike, por një element kyç për mirëqenien e fermerëve dhe për një bujqësi më të fortë. Ato garantojnë që toka të mos përmbytet, të kullohet në mënyrë të rregullt dhe të ruajë cilësinë e saj për kultivim,” u shpreh z. Llatja.

Ai shtoi se ky investim është pjesë e një strategjie afatgjatë që Bashkia Elbasan ka ndërmarrë për përmirësimin e infrastrukturës bujqësore, veçanërisht në zonat rurale, ku bujqësia mbetet një burim i rëndësishëm jetese për mijëra familje.

“Ne po punojmë që çdo sezon bujqësor të jetë më i mbarë se ai i mëparshmi. Përmes ndërhyrjeve të tilla, ndihmojmë fermerët të kenë më pak kosto, më shumë rendiment dhe siguri më të lartë për të ardhmen e tyre,” shtoi kreu i bashkisë.

 

Bashkia Elbasan ka planifikuar të vijojë ndërhyrjet në disa kolektorë dhe kanale të tjerë kullues në territorin e saj gjatë muajve në vijim, me qëllim krijimin e kushteve sa më optimale për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor.

EDLIRA XHERRI ELBASNAINEWS.AL