Elbasani po shndërrohet çdo ditë e më shumë në një destinacion tërheqës për vizitorët vendas dhe të huaj, falë trashëgimisë së pasur kulturore dhe mikpritjes karakteristike që e dallon këtë qytet. Një ndër pikat më të vizituara kohët e fundit është Muzeu Etnografik, i cili po tërheq vëmendjen e turistëve të huaj me bukurinë arkitektonike, historinë e pasur dhe atmosferën autentike që përcjell.
Sot, në ambientet e këtij muzeu, ndaloi një grup vizitorësh nga Italia. Ata u shprehën të mrekulluar nga mënyra se si ndërtesa ruan stilin tradicional të banesave elbasanase dhe nga ekspozita e pasur me objekte, veshje, vegla pune dhe orendi që tregojnë mënyrën e jetesës së qytetit ndër vite. Me kurreshtje dhe vlerësim të sinqertë, italianët udhëtuan simbolikisht në kohë, duke përjetuar pjesë nga jeta e dikurshme e qytetit tonë.
Kjo vizitë është vetëm një nga shumë të tilla që zhvillohen çdo ditë në Elbasan, ku po vihet re një rritje e qëndrueshme e numrit të turistëve. Falë promovimit të vlerave historike dhe kulturore, investimeve në infrastrukturë dhe organizimit të aktiviteteve kulturore, qyteti po kthehet në një atraksion të rëndësishëm turistik në Shqipërinë e Mesme.
Institucionet vendore po punojnë gjithashtu për të krijuar një rrjet vizitash që përfshin edhe pika të tjera me rëndësi historike si Kalaja e Elbasanit, Kisha e Shën Mërisë, Ura e Zaranikës, Pazari i Vjetër dhe stacioni antik “Ad Quintum”, duke e bërë Elbasanin një destinacion që nuk ofron vetëm bukuri, por edhe përvojë të thellë kulturore.
Elbasani po dëshmon se turizmi kulturor ka potencialin jo vetëm të ringjallë historinë, por edhe të sjellë zhvillim ekonomik dhe gjallëri në jetën urbane. Në çdo cep të qytetit ndihet gjithnjë e më shumë prania e vizitorëve që zgjedhin Elbasanin për të zbuluar rrënjët e një qyteti të lashtë, por gjithmonë mikpritës.
Edlira Xherri