Në kuadër të Javës Europiane të Lëvizshmërisë 2025, Bashkia Elbasan, në bashkëpunim me DPSHTRR, Kryqin e Kuq dhe partnerë të tjerë, organizoi një aktivitet të dedikuar edukimit të fëmijëve mbi sigurinë rrugore.
Aktiviteti u zhvillua përmes demonstrimeve interaktive, ushtrimeve praktike mbi sinjalistikën rrugore dhe mësimeve bazë për dhënien e ndihmës së parë. Fëmijët patën mundësinë të mësojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë rregullat që ndihmojnë në parandalimin e aksidenteve dhe mbrojtjen e jetës në rrugë.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, gjatë ceremonisë theksoi se: “Elbasani është bërë pjesë e Javës Europiane të Lëvizshmërisë me një sërë aktivitetesh gjatë gjithë javës. Po e fillojmë me shkollat 9-vjeçare të qytetit për të rritur ndërgjegjësimin dhe sigurinë rrugore tek fëmijët. Ne besojmë se edukimi i hershëm është garancia më e mirë për një qytet të sigurt dhe një brez të ardhshëm më të përgjegjshëm. Bashkia e Elbasanit ka marrë masat që edhe këtë vit shkollor, ashtu si më parë, çdo mëngjes punonjësit tanë të shoqërojnë tek vizat e bardha fëmijët në afërsi të shkollave, për të garantuar kalimin e tyre të sigurt.”
Ky është një hap i rëndësishëm drejt vizionit për një qytet më të sigurt, më të aksesueshëm dhe të ndërtuar mbi kulturën e përgjegjësisë qytetare.
Edlira Xherri