Nga Edlira XHERRI
Vetëm 7 kilometra larg qytetit të Elbasanit, në lindje të tij, ndodhet një nga thesaret më të veçanta të natyrës shqiptare: Pylli aluvial i Shushicës, i shpallur Monument i Natyrës.
Ky pyll, i krijuar përgjatë shtratit të lumit Shkumbin, është një ekosistem i rrallë ku rriten bimë higrofile si shelgjet dhe rapishtat, të cilat formojnë një hapësirë të dendur dhe të paprekur. Ai përfaqëson një nga aluvionet më të veçanta të lumit Shkumbin, duke e bërë këtë zonë një perlë të biodiversitetit shqiptar.
Përveç rëndësisë shkencore e mjedisore, “Pylli aluvial i Shushicës” është edhe një destinacion i përsosur për vizitorët që kërkojnë të përjetojnë natyrën në formën e saj më autentike. Një shëtitje në këtë pyll ofron qetësi, ajër të pastër dhe mundësinë për të zbuluar nga afër pasuritë natyrore që Elbasani ofron.
Ky monument është një ftesë për të gjithë dashamirësit e natyrës, eksploruesit dhe turistët që dëshirojnë të njohin më shumë mbi trashëgiminë e gjelbër të Shqipërisë.