Plot 160 fëmijë të Njësisë 4 tashmë do të kenë mundësinë të frekuentojnë një çerdhe të rikonstruktuar nga themelet, me kushte moderne dhe të sigurta.
Çerdhja Nr. 2, pas ndërhyrjes së plotë, është shndërruar në një hapësirë të përshtatur sipas standardeve më bashkëkohore, duke ofruar ambiente të rehatshme për edukim, zhvillim dhe argëtim.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, bëri me dije se ky investim ka qenë një domosdoshmëri, me qëllim për të krijuar hapësira të denja për fëmijët e qytetit. Ai theksoi se për Bashkinë e Elbasanit, përkujdesja ndaj brezit të ardhshëm mbetet prioritet, duke i dhënë përparësi kushteve ku ata rriten dhe mësojnë.
“Pas rikonstruksionit total, Çerdhja Nr. 2 është tashmë gati për të mirëpritur fëmijët në ambiente moderne, të sigurta dhe me standarde të larta, ashtu siç meritojnë,” u shpreh Llatja.
Me këtë investim, Bashkia e Elbasanit synon jo vetëm të garantojë një shërbim dinjitoz për më të vegjlit, por edhe të lehtësojë prindërit, duke u siguruar se fëmijët e tyre ndodhen në duar profesionale dhe në një mjedis të shëndetshëm.
Edlira XHERRI