Në fshatin Gjergjan, historia e Bardhi Muçës është kthyer në një model frymëzues suksesi. Pas shumë vitesh emigrimi, ai u rikthye në vendlindje për të investuar në fushën e shitjes dhe riparimit të mjeteve bujqësore. Ajo që nisi si një përpjekje familjare, sot është zgjeruar duke fituar besimin e fermerëve jo vetëm në Elbasan, por edhe në zona të tjera të vendit.
Me kursimet dhe eksperiencën e fituar jashtë, Muça ngriti një pikë shërbimi e cila me kalimin e viteve është shndërruar në një referencë për bujqësinë dhe mekanikën bujqësore. Sot, aty marrin shërbime fermerë nga i gjithë qarku dhe përtej tij.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, vizitoi këtë biznes ku vlerësoi kontributin e Muçës si një histori frymëzuese që dëshmon se puna, sakrifica dhe dashuria për vendlindjen sjellin zhvillim në komunitet.
“Ky është një model që tregon se si emigracioni, kur shndërrohet në eksperiencë dhe investim në vendlindje, krijon mundësi të reja punësimi dhe frymëzon të rinjtë që të ndërtojnë të ardhmen këtu,” – u shpreh Llatja, duke theksuar mbështetjen e Bashkisë për nisma të tilla.
Sot, biznesi i Bardhi Muçës është një histori suksesi që frymëzon dhe dëshmon se përkushtimi dhe puna e ndershme mund të kthehen në zhvillim ekonomik për të gjithë zonën.
Edlira Xherri