Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka nisur prej më shumë se një muaji procesin e regjistrimit fillestar të pasurive të paluajtshme në qarkun e Elbasanit.
Ky projekt po zbatohet aktualisht në gjashtë fshatra të zonës, me synimin për të krijuar një regjistër kadastral të saktë dhe të besueshëm. Përmes tij, banorëve u garantohet mundësia për t’u pajisur me dokumentacion të plotë pronësie.
Ekipet e ASHK-së ndodhen çdo ditë në terren, ku informojnë qytetarët dhe mbledhin dokumentacionin ekzistues që vërteton pronësinë e tyre. Paralelisht, për çdo pasuri po kryhen matje me teknologji bashkëkohore, të cilat sigurojnë saktësi dhe cilësi maksimale në të dhënat që do të regjistrohen.
ASHK vlerëson bashkëpunimin e banorëve, duke theksuar se kontributi i tyre është thelbësor për suksesin e këtij procesi.