Puna për përmirësimin e infrastrukturës bujqësore në njësitë administrative të Bashkisë Elbasan vijon pa ndërprerje.
Agjencia e Shërbimeve Publike ka përfunduar pastrimin e rreth 2 kilometrave kanal kullues në zonën e fshatrave Bixëlle dhe Branesh, duke i shërbyer mbi 60 hektarëve tokë bujqësore.
Ky proces është pjesë e një plani të gjerë pune që po zbatohet në të gjitha njësitë administrative, me qëllim përmirësimin e kushteve për fermerët dhe mbrojtjen e tokave nga përmbytjet.
Punimet në terren po zhvillohen me të njëjtin intensitet dhe përkushtim, duke treguar se angazhimi i Kryetarit të Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, dhe strukturave bashkiake nuk ka ndalur për asnjë çast.
“Qëllimi ynë është i qartë – të sigurojmë kushte më të mira për punën e fermerëve dhe të garantojmë që çdo parcelë e tokës bujqësore të jetë e mbrojtur dhe e aksesueshme gjatë gjithë vitit,” – theksohet nga Agjencia e Shërbimeve Publike.
Pastrimi i kanaleve kulluese vijon çdo ditë në zona të ndryshme të territorit, duke kontribuar drejtpërdrejt në rritjen e produktivitetit bujqësor dhe përmirësimin e jetesës në komunitetet rurale të Elbasanit.
Edlira Xherri