Poetja dhe autorja Meri Myftari është vlerësuar me Çmimin “Agim Doçi” për tekstin më të mirë për këngë, gjatë Festivalit Kombëtar Letrar 2025, që u zhvillua mbrëmë në Tiranë. Ky çmim, që mban emrin e një prej figurave më të dashura të poezisë shqiptare, për Myftarin përfaqëson një moment të veçantë në rrugëtimin e saj krijues.
“Ky vlerësim ka një domethënie të veçantë për mua, duke mbajtur emrin e një ikone të fjalës. Është një motivim i madh për të vazhduar rrugëtimin e fjalës,” u shpreh poetja pas marrjes së çmimit.
Meri Myftari ka botuar dy libra me poezi nga shtëpia botuese M&B: Mos i thuaj lamtumirë botës dhe Fytyrat e kohës, ky i fundit i përkthyer edhe në gjuhën angleze. Krijimtaria e saj shtrihet edhe në muzikë; kompozitori i njohur Naim Gjoshi ka vënë në melodi tekstin e saj poetik Moj e vogël, ndërsa kënga Vari leshtë, me tekst të saj, ka bërë bujë në rrjetet sociale.
Ky çmim e konfirmon Meri Myftarin si një nga zërat më të talentuar dhe më të gjithanshëm të poezisë shqiptare. Festivali u organizua me mbështetjen e producentes Adelina Pali dhe mblodhi krijues nga e gjithë Shqipëria, ku fjala poetike u bë këngë mes duartrokitjesh dhe emocioneve të sinqerta.
Nga Edlira Xherri





























