Nga Edlira Xherri
Elbasani, qytet me traditë të pasur sportive dhe shpirt mikpritës, u bë qendra e një ngjarjeje të veçantë kulturore ku sporti dhe letërsia u takuan në një ditë frymëzuese. Gazetari i njohur Fatmir Mëneri zgjodhi pikërisht këtë qytet për të promovuar botimet e tij më të fundit kushtuar sportit, duke sjellë histori dhe përjetime që ngjallin emocione përtej rezultateve e trofeve.
Aktiviteti u zhvillua në ambientet e Pallatit të Sportit “Tomorr Sinani”, nën kujdesin e Drejtërisë së Kulturës dhe Sportit të Bashkisë Elbasan, drejtuar nga Artin Kovaci. Të pranishëm ishin figura të njohura të sportit elbasanas si vëllezërit Mihal dhe Dhimitër Gjika, Edmond Mustafaraj, Muharrem Dosti, Hysen Domi – ikona e volejbollit elbasanas – si dhe shumë dashamirës të sportit dhe librit që e kthyen këtë event në një atmosferë të ngrohtë, plot emocion dhe respekt.
Në këtë aktivitet, Fatmir Mëneri prezantoi disa prej librave të tij më të njohur, ku spikasin “Fjalëgol” dhe përkthimet e rralla të literaturës sportive botërore, të sjella për herë të parë në gjuhën shqipe. Në këto botime, ai sjell rrëfime të pazakonta për yje të futbollit botëror si Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi, por edhe për trajnerë të shquar si Massimiliano Allegri dhe Antonio Conte.
Përmes përkthimeve dhe analizave të tij, Mëneri afron lexuesin shqiptar me mënyrën se si sporti përjetohet në nivelet më të larta – me pasion, sakrificë dhe kulturë profesionale.
Ndërsa “Fjalëgol”, vepra e tij origjinale, është një përmbledhje që shpalos filozofinë e sportit përmes fjalëve, emocioneve dhe kujtimeve nga dekada përvoje në gazetari. Ky libër është një homazh për sportin shqiptar, për figurat që i dhanë atij lavdi dhe për pasionin që e mban gjallë në çdo brez.
“Elbasani, qytet që e do sportin me shpirt”
Në fjalën e tij përshëndetëse, Fatmir Mëneri u shpreh i emocionuar për mikpritjen e elbasanasve: “Jam thellësisht mirënjohës për këtë pritje. Elbasani është një qytet me traditë të madhe sportive, që ka nxjerrë emra të mëdhenj në shumë disiplina. Ky qytet e do sportin me shpirt dhe unë jam krenar që ndodhem këtu për të ndarë me ju këto libra, që janë fryt dashurie dhe përkushtimi për sportin.”
Ai shtoi se libri nuk është thjesht kujtesë për të shkuarën, por një mënyrë për të ruajtur memorien sportive të vendit, duke treguar se çdo fitore apo humbje mbart një histori që meriton të mbetet e shkruar.
Artin Kovaci, drejtor i Kulturës dhe Sportit në Bashkinë Elbasan, u shpreh: “Është kënaqësi dhe nder për ne që Elbasani u bë shtëpia e këtij promovimi. Fatmir Mëneri përfaqëson me dinjitet gazetarinë sportive shqiptare dhe ka ndihmuar që sporti të shihet edhe si kulturë, si pasuri kombëtare. Ne jemi krenarë që mirëpresim figura të tilla.”
Ndërsa gazetari sportiv Fatmir Popja theksoi “Mëneri është një ndër figurat më të respektuara të gazetarisë sportive shqiptare, një zë i besueshëm dhe i drejtë. Librat e tij nuk janë thjesht rrëfime, por dokumente që pasqyrojnë historinë dhe shpirtin e sportit shqiptar.”
Legjenda e futbollit Mihal Gjika u shpreh se “Fatmiri ka një mënyrë shumë njerëzore për të folur për sportin. Ai njeh shpirtin e lojtarit, emocionin e fitores, por edhe dhimbjen e humbjes. Librat e tij lexohen si kujtime që të prekin.”
Ndërsa ish-futbollisti Muharrem Dosti e cilësoi atë si “kronist të palodhur të fitores dhe përpjekjes, që ka ruajtur kujtimet e çdo brezi sportistësh me ndershmëri e pasion.”
Atmosfera ishte e mbushur me emocione dhe respekt të ndërsjellë. Pas pjesës zyrtare, Mëneri nënshkroi librat për lexuesit, duke ndarë me secilin një dedikim të personalizuar. Fotografitë, duartrokitjet dhe bisedat miqësore e shndërruan këtë promovim në një festë të kulturës sportive – dëshmi se sporti dhe fjala e shkruar ecin paralelisht si kujtesë e pasionit dhe përpjekjes njerëzore.
Në mbyllje, Fatmir Mëneri falënderoi publikisht Bashkinë e Elbasanit, miqtë dhe sportdashësit që e mbështetën në këtë nismë, duke lënë pas një mesazh të qartë: “Sporti është më shumë se lojë – është histori, kulturë dhe emocion që na bashkon të gjithëve.”



























