Në Tregan, ku sezoni i turizmit kurativ po i afrohet fundit, ritmi mbetet i pandryshuar: kapacitete të tejmbushura, kërkesë e lartë dhe një fluks i qëndrueshëm vizitorësh. Kjo tablo dëshmon më së miri potencialin e zonës dhe rëndësinë që ajo ka fituar në zhvillimin rajonal të turizmit shëndetësor.
Gjatë një vizite në një prej hoteleve të zonës, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, u takua me përfaqësues të bizneseve lokale për të diskutuar mbi ecurinë e sezonit, sfidat dhe mundësitë për përmirësim në të ardhmen.
Vizitorë nga e gjithë Shqipëria, por edhe nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, zgjedhin Treganin për cilësinë e ujërave termale, mikpritjen tradicionale, çmimet e favorshme dhe natyrën e paprekur që e rrethon.
> “Tregani është pjesë e ‘Paketës së Maleve’, një paketë strategjike që synon të forcojë investimet në turizmin malor, atë kurativ dhe format e tjera të turizmit gjithëvjetor. Kjo zonë është një shembull i qartë se si ndërthuren natyrshëm produktet vendase, agroturizmi dhe turizmi shëndetësor, duke sjellë zhvillim ekonomik të qëndrueshëm,” – u shpreh Llatja.
Kryebashkiaku theksoi se investimet në infrastrukturë, mbështetja e bizneseve familjare dhe promovimi i potencialit natyror e shëndetësor të Treganit do të mbeten ndër prioritetet kryesore të Bashkisë Elbasan.
> “Çdo investim në këtë zonë përkthehet në më shumë vizitorë dhe më shumë mundësi për komunitetin,” – shtoi ai.
Gjatë qëndrimit në llixhat e Treganit, kryetari Llatja zhvilloi biseda edhe me pacientët që po marrin trajtime në fund të sezonit kurativ. Ata shprehën kënaqësi për kushtet e përmirësuara dhe shërbimet cilësore që ofron zona, duke theksuar se klima e Treganit është unike dhe se efektet e ujërave termale ndihen që pas ditëve të para të trajtimit.
> “Këtu gjejmë qetësi, shërbim shumë të mirë dhe trajtime që vërtet ndihmojnë shëndetin tonë,” – tha një vizitor nga Kosova.
Një tjetër, nga Divjaka, shtoi se “kthimi në Tregan është bërë traditë çdo vit.”
Në vijim, Llatja solli në vëmendje edhe politikat mbështetëse të qeverisë për shtresat në nevojë, veçanërisht për pensionistët dhe bujqit, duke theksuar se rritja e pensioneve do të vijojë çdo vit, sipas prioritetit të përcaktuar nga Kryeministri Edi Rama.
Në përmbyllje të sezonit kurativ, Tregani konfirmon edhe një herë rolin e tij si një pasuri natyrore dhe një motor të fuqishëm ekonomik për zonën, duke tërhequr gjithnjë e më shumë investime dhe vizitorë nga i gjithë rajoni.
Edlira XHERRI



























