Nga Edlira Xherri

 

Në pallatin e sportit “Tomorr Sinani” u zhvillua një aktivitet dedikuar kampionëve elbasanas, ku Bashkia Elbasan vlerësoi sportistët që kanë spikatur me rezultate të larta në gara kombëtare dhe ndërkombëtare. Kryebashkiaku Gledian Llatja dhe drejtori i Përgjithshëm i Sporteve dhe Kulturës, Artin Kovaci, u takuan me ekipet e pingpongut, karatesë, shtangës, xhudos dhe atletikës, duke përgëzuar arritjet e tyre gjatë këtij viti.

 

Sportistët, së bashku me trajnerët dhe stafet teknike, paraqitën rezultatet më të fundit, të cilat janë jo vetëm suksese individuale, por edhe një pasqyrë e zhvillimit të sportit në Elbasan. Medaljet dhe titujt e fituar gjatë vitit tregojnë përkushtimin, disiplinën dhe punën e përditshme që ata bëjnë për të qëndruar mes më të mirëve.

 

Kryebashkiaku Gledian Llatja vuri theksin te mbështetja e bashkisë për sportin elbasanas, duke e cilësuar atë një prioritet:

 

“Sportistët tanë janë ambasadorët më të mirë të qytetit. Elbasani ka talente të jashtëzakonshme që po e çojnë emrin e qytetit gjithnjë e më lart. Do të vazhdojmë t’i mbështesim me të gjitha mundësitë, në mënyrë që të rriten, të zhvillohen dhe të arrijnë suksese edhe më të mëdha,” u shpreh Llatja.

 

Në të njëjtën linjë, drejtori i Përgjithshëm i Sportit dhe Kulturës, Artin Kovaci, deklaroi se rezultatet e marra janë dëshmi e potencialit të rinisë elbasanase:

 

“Këta kampionë tregojnë se çfarë arrihet kur talenti mbështetet siç duhet. Ne do të vijojmë të investojmë në infrastrukturë dhe programe sportive, për t’u krijuar mundësi edhe më të mira brezave të rinj,” theksoi Kovaci.

 

Sportistët shprehën mirënjohjen për vëmendjen dhe mbështetjen e institucionit, duke theksuar se kjo i motivon të punojnë më fort dhe të synojnë rezultate edhe më të larta.

 

Takimi shërbeu si një mundësi për të evidentuar arritjet e sportistëve dhe për të diskutuar nevojat aktuale të komunitetit sportiv në qytet. Institucionet vendore konfirmuan se do të vijojnë punën për përmirësimin e kushteve dhe infrastrukturës, ndërsa sportistët pritet të vazhdojnë sezonin me objektiva të qartë për rezultate të tjera pozitive.