Viti 2026 ka nisur me një sukses të rëndësishëm për sportin elbasanas. Sportistja e ping-pongut Ana Kokoneshi ka triumfuar duke fituar Kupën e Ambasadorit, duke i shtuar Elbasanit një tjetër trofe të çmuar në arenën kombëtare.
Aktiviteti u organizua nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) dhe Federata Shqiptare e Ping-Pongut, në nder të Ambasadës së Republikës Popullore të Kinës, për mbështetjen e zhvillimit të sportit në shkolla. Turneu u zhvillua në pallatin e sportit “Fetih Borova” në Tiranë dhe mblodhi së bashku fëmijë dhe sportistë profesionistë nga e gjithë vendi.
Suksesi i ekipit elbasanas u plotësua edhe nga sportistët Eris Kokoneshi dhe Sadush Tosuni, të cilët u renditën në vendin e dytë, duke treguar nivel të lartë përgatitjeje dhe konkurrueshmëri.
Organizatorët dhe institucionet mbështetëse u vlerësuan për kontributin e tyre në zhvillimin e ping-pongut në Shqipëri, ndërsa ky rezultat konfirmon edhe një herë punën e vazhdueshme dhe serioze të sportistëve elbasanas.
Ky sukses shënon një fillim premtues të vitit sportiv 2026 për Elbasanin, duke rritur pritshmëritë për rezultate të tjera pozitive në vijim.
Edlira Xherri




























