Në prag të sfidës së kësaj fundjave ndaj Fieri Basket, basketbollisti i Elbasanit, Bruno Skëndaj, e cilëson përballjen si një “finale të vogël” për verdheblutë, ku fitorja është kusht i panegociueshëm për të mbajtur gjallë shpresat për qëndrimin në Superligë.

Sipas Skëndajt, përballja pritet të jetë tepër e luftuar, jo vetëm për shkak të rivalitetit mes dy skuadrave, por edhe për peshën që ka kjo ndeshje në renditje. “Na pret një duel shumë i fortë dhe për ne fitorja është absolutisht e domosdoshme. Një sukses ndaj Fieri Basket na jep një mundësi reale për të arritur objektivin tonë kryesor, që është qëndrimi në Superligë”, thekson basketbollisti elbasanas.

Ai nënvizon se skuadra ka treguar rritje dhe karakter gjatë kampionatit, edhe pse sezoni ka qenë i mbushur me vështirësi. “Kemi ditur të reagojmë në momente delikate. Kampionati është më konkurrues se më parë dhe çdo ndeshje kërkon përqendrim maksimal. Pikërisht për këtë arsye, kjo sfidë ka një rëndësi të veçantë dhe jemi përgatitur maksimalisht”, shton Skëndaj.

Një tjetër element kyç, sipas tij, do të jetë qetësia dhe zbatimi korrekt i detyrave taktike në parket. “Duhet të jemi të disiplinuar, të ruajmë qetësinë dhe të shmangim gabimet në momentet vendimtare. Detajet do ta përcaktojnë rezultatin dhe ne duhet të jemi gati për çdo situatë”, nënvizon ai.

Në fund, Skëndaj apelon për mbështetjen e tifozëve, duke e konsideruar praninë e tyre një faktor vendimtar. “Luajmë në shtëpi dhe presim një mbështetje të madhe nga tifozët. Ata na japin energji dhe motivim shtesë. Me ndihmën e tyre, besoj se mund ta kalojmë me sukses këtë sfidë shumë të rëndësishme”, përfundon basketbollisti i Elbasanit.