Mbrëmjen e kësaj të premte Lojërat Olimpike Dimërorë të Milano Cortinës do të ngrenë siparin e tyre. Shqipëria në këtë kompeticion do të përfaqësohet nga 4 sportistë, që do të garojnë të gjithë në disiplinat e Skive Alpine dhe bëhet fjalë për Lara Colturin, Denni Xhepa, Semire Dauti de Lisa Brunga.

Padyshim që shpresat më të mëdha për një medalje olimpike janë pikërisht te Lara Colturi, e 10 në botë në renditjen e përgjithshme dhe e 5 në disiplinën e slalomit. Për skiatoren 19 vjeçare kjo është pjesëmarrja e saj e parë në një kompeticion si Lojërat Olimpike dhe ajo do të garojë si në Slalomin Gjigant ashtu edhe Slalom.

Denni Xhepa është i vetmi sportist që i ka përjetuar një herë Lojërat Olimpike me 22 vjeçarin që ka garuar edhe në edicionin e vitit 2022. Denni Xhepa do të garojë në Slalom, Slalomi Gjigant dhe SuperG.

Edhe Semire Dauti është debutuese në këtë edicion të Lojërave Olimpike. Ashtu sikurse Lara Colturi edhe 18 vjeçarja do të garojë në disiplinat e Slalomit dhe Slalomit Gjigant. Lisa Brunga është pjesëmarrësja më e re e delegacionit shqiptare me 17 vjeçaren që do të garojë vetëm në garën e Slalomit.

Në këtë edicion të Lojërave Olimpike Dimërore do të ketë 3 ceremoni hapjeje; në San Siro, në Cortina ku Lara Colturi do të parakalojë me flamurin shqiptar dhe ceremonia e tretë do të mbahet në Borneo.

Pas Ceremonive të hapjes do të nisin garat dhe delegacioni shqiptar do të nisë garimin në 11 shkurt me garën e SuperG për meshkuj në Bormio për të vijuar me Slalomin gjigant po për meshkuj në Bormio në 14 shkurt, gara në të cilat merr pjesë Denni Xhepa. Në 15 shkurt do të jetë gara e Slalomit Gjigant në Cortina D’Ampezzo ku në pistë do të zbresin Lara Colturi dhe Semire Dauti, për të vijuar një ditë më pas në 16 shkurt me garën e Slalomit për meshkuj dhe në fund ne 18 shkurt do të jetë gara e Slalomit për femra ku përvec Colturit dhe Dautit do të shohim në pistë edhe Lisa Brungën.

Top Channel