Klubi Shumësportësh Elbasan, me mbështetjen e plotë të Kryetarit të Bashkisë Gledian Llatja, ka nisur zyrtarisht procedurat për kandidimin e Elbasan për titullin “European City of Sport 2027”.

 

Aktualisht, Bashkia ndodhet në fazën e përgatitjes për t’u bërë pjesë e rrjetit prestigjioz ACES Europe, me seli në Bruksel. Ky hap konsiderohet strategjik, pasi synon zhvillimin e qëndrueshëm të sportit, rritjen e investimeve në infrastrukturë dhe promovimin e Elbasanit në arenën europiane.

Titulli “European City of Sport” nuk është vetëm simbolik, por përfaqëson një angazhim konkret për përmirësimin e kushteve sportive, shtimin e aktiviteteve për të gjitha grupmoshat dhe forcimin e rolit të sportit në jetën komunitare.

Elbasani ka një traditë të konsoliduar sportive dhe infrastrukturë të zhvilluar. Qyteti ofron ambiente bashkëkohore si Pallati i Sportit Pallati i Sportit Tomorr Sinani, ku zhvillohen ndeshje basketbolli, volejbolli, handbolli dhe sporte të tjera, si dhe stadiumin modern Elbasan Arena, impiant i kategorisë UEFA me kapacitet rreth 12,800 vende, shtëpia e ekipit KF Elbasani.

Përveç sporteve tradicionale, në qytet janë aktive edhe disiplina si karateja, çiklizmi, atletika, ping-pongu, peshëngritja, hiking dhe aktivitetet e fitness-it, duke dëshmuar një kulturë të gjerë sportive dhe përfshirje komunitare.

Kandidatura synon rritjen e investimeve në infrastrukturë moderne, krijimin e më shumë mundësive për të rinjtë dhe talentet lokale, promovimin e jetesës së shëndetshme, si dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik përmes turizmit sportiv dhe organizimit të eventeve madhore ndërkombëtare.

Drejtori i Përgjithshëm i Kulturës dhe Sporteve në bashkinë Elbasan, z. Artin Kovaçi thekson se kjo është një nismë që do të ndiqet me përkushtim maksimal, si pjesë e strategjisë për ta kthyer Elbasanin në një qendër të rëndësishme sportive në rajon dhe më gjerë.

Edlira Xherri