ATSH/ Ministri i Shtetit për Rindërtim, Arben Ahmetaj dha sot një informacion të plotë lidhur me fondet e siguruara nga qeveria shqiptare në konferencën e Donatorëve të mbajtur në Bruksel më 17 shkurt për rimëkëmbjen pas tërmetit të 26 nëntorit.
Ministri Ahmetaj tha se Komisioni Europian ka akorduar 115 milionë euro nga të cilat 65 milionë euro po shkojnë për ndërtimin e shkollave të dëmtuara nga tërmeti ndërsa 50 milionë euro do të përdoren në objektet e trashëgimisë kulturore të dëmtuara për shkak të tërmetit.
Lidhur me projektin e njohur tashmë si “TOKI” me qeverinë turke për ndërtimin e 500 shtëpive në Laç, Ahmetaj bëri të ditur se me dorëzimin e projektit të shtunën, nis edhe zbatimi i tij.
“Enti Kombëtar i Banesave në Turqi ka kryer tenderin dhe është shpallure fituese një kompani turke që do të ndërtojë edhe banesat”, tha Ahmetaj.
Nga ana tjetër, lidhur me fondet e Emirateve të Bashkuara për ndërtimin e banesave në zonën e Spitallës në Durrës, ministri tha se jemi në fazën e marrjes së vendimit mbi numrin e apartamenteve që duhet të ndërtohen.
Sa i takon disbursimit të kredive, Ahmetaj bëri të ditur se një pjesë e kredive kanë qenë të angazhuara dhe janë adaptuar për rindërtimin dhe rimëkëmbjen.
“Qeveria franceze u angazhua me 60 milionë euro. Sot këto fonde janë autorizuar nga qeveria franceze për ujësjellësin e Durrësit që është pjesë e rimëkëmbjes. Qeveria italiane me kredinë e saj prej 85 milionë euro po fokusohet në ekonominë blu, ndërsa 30 milionë euro do të shkojnë për rritjen e kapaciteteve e përmirësimin e flotës së Agjencisë së Mbrojtjes së Emergjencave Civile”, informoi ministri. /a.gjonaj/ /a.g/