/ATSH/- Amnistia fiskale dhe penale synon ndarjen përgjithmonë nga evazioni dhe kultura e pandëshkueshmërisë.
Një ditë më parë, Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi në parim projektligjin për Amnistinë Fiskale dhe Penale për Subjektet që bëjnë Deklarim Vullnetar të Pasurive.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj thekson se projektligji parashikon deklarimin Vullnetar të pasurisë nga të gjithë individët dhe subjektet juridike që përfshin pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme brenda ose jashtë vendit.
Rishikimi i Pasqyrave Financiare nga të gjithë bizneset si dhe falje e të gjitha gjobave, kamatevonesave apo penaliteteve të parashikuara në legjislacionin në fuqi per regjistrimin e pasurive objekt i këtij ligji, janë të parashikuara nga ky projektligj.
Denaj thekson se për të siguruar formalizim të ekonomisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe institucionet ligjzbatuese kanë punuar paraprakisht për hartimin e legjislacionit për përmirësimin e administrimit fiskal dhe për ngritjen e sistemeve afatgjata sikurse sistemi i fiskalizimit për raportimin e transaksioneve në kohë reale, shkëmbimi i informacioni për Llogaritë Bankare me Administratat e huaja Tatimore si dhe regjistri i Pronarëve Përfitues dhe Regjistri i Llogarive Bankare.
Amnistia fiskale dhe penale ka një afat 1-vjeçar, për subjektet që deklarojnë vullnetarisht pasuritë, me qëllim të ligjësimit të tyre dhe të formalizimit të aktiviteteve të krijuara gjatë 30 viteve të fundit.
Procedurat transparente të ligjësimit dhe mekanizma nxitës për procedurat e deklarimit dhe pagesës së detyrimeve janë dy nga objektivat që përmbush ky projektligj.