Policia e Korçës në kuadër të operacionit “Perimetri” ka vënë në pranga dy persona, që janë kapur duke transportuar emigrantë të paligjshëm si edhe një tjetër, i cili ishte shpallur në kërkim.

Njoftimi i plotë:

Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme në kuadër të operacionit policor “Perimetri”.

U kapën duke transportuar kundrejt shpërblimit 3 emigrantë të paligjshëm, vihen në pranga 2 shtetas.

Ndalohet edhe 1 shtetas tjetër i shpallur në kërkim, në kuadër të këtij operacioni.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, shërbimet e Policisë Rrugore dhe Forcat Speciale “Shqiponjat” në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve F. B., 23 vjeç dhe E. Sh., 37 vjeç, banues në Elbasan.

Shërbimet e policisë rrugore kanë kapur në rrugën dytësore Rëmbec, Maliq, shtetasit e mësipërm duke transportuar me mjetin tip “Nissan”, tre emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit, iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Gjithashtu po nga këto struktura, u bë ndalimi i shtetasit në kërkim L. Ll., 21 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendimin e datës 10.02.2021, ka caktuar për këtë shtetas, masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.

Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.

Top Channel