/ATSH/ Zëvendëskryeministri Erion Braçe hodhi poshtë sot pretendimet e opozitës dhe të presidentit për mijëra hektarë tokë të përmbytura në Sukth, ndërsa shtoi se “nuk ka asnjë shtëpi të përmbytur”.

“Boll me gënjeshtra. Gënjeshtra në nivel të lartë është neveritëse. Në Sukth nuk ka mijëra hektarë nën ujë. Ishin 100 hektarë në kulm të reshjeve e janë 30 sot! Në Sukth nuk ka asnjë shtëpi të përmbytur, me ujë brenda, as në kulm të reshjeve e as sot. IGJEUM-in e kemi dëgjuar qysh në verë, jo veç tani”, tha ai.

Braçe solli disa fakte kundër gënjeshtrës. “Presidenti i Republikës ndoqi kryetarin e partisë së hiçit dje në Sukth. Recitoi edhe një herë tekstin standard se, Qeveria nuk mori seriozisht IGJEUM dhe paralajmërimin e tij për reshjet. Gënjeu. Qeveria i ka paraprirë IGJEUM që në verë”, tha Braçe.

Fakti i parë që e dëshmon këtë, sipas tij, “është se Bordi i Kullimit në Durrës, ndërtoi në verë argjinaturën e re e bërë tamam në zonën dhe për të mbrojtur zonën ku ishte dje Presidenti i Republikës”.

Ndërsa solli disa foto nga këto punime, Braçe tha se “është thelluar shtrati i lumit Erzen dhe është krijuar muri mbrojtës, argjinatura”.

“Pra është pastruar lumi, thelluar dhe argjinatura e re është mbi 4 metra e lartë. Në këtë lagje janë bërë nga e para rreth 200 metra argjinaturë”, shtoi ai.

Po ashtu, Braçe tha se fakti tjetër është se “Bordi i Kullimit në Durrës, në Vardar ndërtoi në verë një argjinaturë rreth 400 metra që ndihmon dhe këtë lagje, Lagjja e Toteve me banorë të ardhur nga Kukësi që formojnë rreth 16 familje të vendosur aty. Shtëpitë e tyre nuk janë prekur nga uji, nuk janë përmbytur e s’kanë ujë në brendësi, as kishin. Në afërsi të tyre është kanali i ujërave të larta, Kanali i Tonës, i cili ka dalë nga shtrati pasi lumi Erzen ka qenë në nivele maksimale po pa përmbytur shtëpitë e çdonjërit”, tha ai.

Braçe solli në vëmendje edhe dy të vërteta që qëndrojnë pas këtyre fakteve.

“E vërteta1: Puna e bërë në verë, thellimi i Erzenit dhe argjinatura, shpëtuan jo veç ata, por 500 shtëpi nga përmbytja. E vërteta 2: Kjo lagje, lagjja e Totëve, është vetëm 200 metra larg nga lumi dhe pranë kanalit të vjetër shkarkues, në një tokë të ndaluar kategorikisht për të ndërtuar për shkak të këtij rreziku të provuar tashmë, e gjitha pa leje për shkak të të njëjtit rrezik, vërshimit të lumit e kanalit në tokë të tyre. Ndaj, boll gënjyet dynjanë dhe boll duke mos i thënë të vërtetën njerëzve aty. Boll dhe me gënjeshtrat për ushqime të munguara e ilaçe gjithashtu. Askujt nuk i hyri uji në shtëpi e askujt nuk i shkoi uji në raftet e bukës e ilaçeve. Boll se është turp”, tha Braçe.