Me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë, fasoneritë në të gjithë vendin janë lejuar të punojnë, por me rregulla strikte për të mos rrezikuar shëndetin e punonjësve. Fabrika e përpunimit të peshkut “Rozafa” në Prrenjas është rikthyer në punë me rregulla të përcaktuara të respektimit të higjienës. Në hyrje të të gjitha fabrikave të Rozafës në Prrenjas dhe Elbasan janë vendosur aparaturat e dezinfektimit të punonjësve para se të hyjnë. Brenda fabrikës punonjësit qëndrojnë të pajisur me maska dhe doreza, ndërsa distanca mes tyre është mbi 1 metër. Për shkak të pozicionimit të distancuar, fabrikat po punojnë me numër të kufizuar punonjësish. Lidhur me këtë, administratori i kompanisë Rozafa Gjergj Luca kërkoi rikthimin në punë në normalitet të të gjithë punonjësve, duke qenë se Bashkia e Prrenjasit është një bashki e gjelbër.

Por, Kryetari i Grupit Parlamentar socialist Taulant Balla, pasi falenderoi kompanitë që nuk e kanë ndërprerë punën e tyre, shtoi se asnjë masë lehtësuese nuk do të merret pa u gjykuar nga autoritetet e shëndetësisë.

Gjergj Luca “Përsa i përket masave të higjienës nuk kemi bërë ndryshime të mëdha, përveç kabinave të dezinfektimit dhe distancimit brenda fabrikës. Aktualisht në këtë repart janë 120 punonjëse, por kapaciteti ynë është shumë herë më i madh dhe jemi në prag të sezonit. Meqenëse Prrenjasi është bashki e gjelbër, a mundet të therrasim në punë edhe pjesën tjetër të punonjëseve tona?” ju drejtua Z. Luca

BALLA:“Faleminderit që keni nisur punën në këto kushte strikte të higjienës që kanë të bëjnë, në radhë të parë me jetën e punonjësve dhe më tej me rikthimin në normalitet të ciklit ekonomik të vendit. Ruajtja e këtyre e distancave në mjedise të tilla të mbyllura është e domosdoshme. Ministria e Shëndetësisë ka përcaktuar qartë protokollin e masave që duhet të zbatohen nga çdo njësi prodhimi. Edhe pse Prrenjasi është zonë e gjelbër, lufta vazhdon. Do të jetë Ministria e Shëndetësisë që do të përcaktojë momentin kur do të rikthehemi në normalitet, prandaj ruajtja e distancës do të vazhdojë”.

Balla vijoi me tej se interesat në këtë luftë kanë qenë të kundërta, me qeverinë që kërkonte mbrojtjen e jetës së njerëzve dhe pala tjetër kërkonte të krijonte panik.

Taulant Balla “Në të gjithë këtë luftë ka pasur dy interesa të kundërta. Ishte qeveria që kërkonte me çdo kusht mbrojtjen e jetës së njerëzve dhe pala tjetër që kishte interes të shpërndante panik apo të krijonte kredibilitet politik nga e gjithë kjo. Edhe historia e fasonerive që po përdoren për llomotitje politike nuk ka të bëjë aspak me atë që ne e kemi bërë shumë të qartë: Çdo njësi prodhimi mund të fillojë punën, por me rregulla shumë strikte dhe të përcaktuara.

Kryetari i Grupit Parlamentar tha më tej se Qeveria Shqiptare ka mbështetur me aq sa janë kapacitetet e saj të gjitha kompanitë për periudhën që e kanë pasur të pamundur të punojnë.

Elbasaninews.tv