ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla shprehu sot bindjen se “rregullat e forta të vendosura për fushatën zgjedhore na kanë dhënë një bazë të fortë, për të pasur një proces zgjedhor më të mirë”.

Në konferencën me temë “Kostot e demokracisë II; Paratë në politikë dhe integriteti zgjedhor”, Balla theksoi se “zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme janë themelore për një demokraci të shëndoshë”.

“Ndihem komod sot si përfaqësues i Partisë Socialiste për shkak të vullnetit të qartë, të dëshmuar edhe në reformën e fundit, për të realizuar zgjedhje me standarde dhe një proces zgjedhor të bazuar në konsensus midis aktorëve politikë. Gjithëpërfshirja është një parim që PS e ka të rëndësishëm sidomos kur bëhet fjalë për procesin zgjedhor. Kujtoj që për të mundësuar gjithpërfshirjen ne Komisionin e Posaçëm të reformës zgjedhore na u desh të shpiknim formulën e vendit të rezervuar për Opozitën Jashtëparlamentare”, tha Balla.

Më tej, ai theksoi se “edhe marrëveshja e 5 Qershorit ishte fryt i këtij parimi të padiskutueshëm edhe në kushte sui generis në të cilën na u desh të ballafaqoheshim për shkak të largimit en bloc të opozitës”.

Balla tha se “reforma aktuale nuk është absolutisht ajo që Partia Socialiste priste dhe sidomos për realitetin e zgjedhjeve në Shqipëri, ka ende shumë vend për përmirësime, apo akoma më shumë vend për të modernizuar procesin, duke synuar minimizimin e shfaqjeve negative në këtë proces”.

“Për hir të të së vërtetës ashtu siç edhe raportet e OSBE/ODIHR e kanë nënvizuar, këto fenomene negative  kanë ardhur duke u tkurrur krahasuar me vitet e mëparshme. Jam i bindur që një konstatim i tillë mund të gjente dakordësinë e shumicës dërrmuese këtu në panel nëse çdo palë zgjedhje në Shqipëri do të shiheshin si pjesë të një procesi dhe mbi baza krahasimore me zgjedhjet e zhvilluara më parë në vend”, shtoi ai.

Nga ana tjetër, Balal theksoi se “Partia Socialiste është shumë e angazhuar për të adresuar të gjitha rekomandimet e raportit të OSBE/ODIHR të lëna ndër vite”.

Balla nënvizoi dy elementë, që sipas tij “duhet të jenë domosdoshmërisht pjesë e reformës së ardhshme elektorale”.

“Elementi i parë është nevoja për të kapërcyer traditën e pakuptimtë dhe nevojën për të depolitizuar komisionet zgjedhore, e cila besoj vazhdon të na rendisë si rastin unik në botë. Më vjen keq ta theksoj se depolitizimi është një hap që për hir të së vërtetës është kërkuar tradicionalisht dhe para çdo reforme zgjedhore nga partnerët ndërkombëtarë dhe në mënyrë të posaçme nga ekspertët e ODIHR por me reformën aktuale ne dështuam ta adresonim këtë rekomandim. Së dyti, do të doja të nënvizoja edhe domosdoshmërinë për të adresuar në mënyrë më të qartë dhe mundësisht më efikase, edhe çështjen e korrupsionit zgjedhor, i cili krahasuar me të shkuarën është tkurrur në mënyrë të ndjeshme, por mbetet një shqetësim”, tha ai.

Në kushte e reja të mundësuara nga reforma zgjedhore, Balla tha se “është pak por e sigurt se kemi një bazë shumë më të shëndetshme dhe shumë më të favorshme për të zhvilluar zgjedhje me një cilësi më të lartë”./m.m/