Zv/kryeministrja dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ishte e pranishme në nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit midis “Eagle Hills Real Estate Development” shpk dhe “Albanian Seaports Development Company” sh.a.
Në fjalën e saj, Balluku u shpreh se “sot më në fund pas një kohe të gjatë, të një negociate të gjatë, e cila daton me shumë se tre vite më parë, dhe Princi i Kurorës së Emirateve të Bashkuara, Muhammed Bin Zayed na e thotë shpesh se kjo ka qenë negociata më e gjatë që ka pasur në historinë e tij si investitor. Kjo tregon se ne kemi qenë një ekip i kujdesshëm për të hedhur hapa të kujdesshëm për t’ju vendosur ju në një bazë të fortë ligjore e cila do ju shërbejë në të ardhmen për të siguruar investimin e rëndësishëm që do të keni në portin e Durrësit”.
Balluku theksoi se investimi është më i madhi i parë ndonjëherë jo në Shqipëri, por dhe në rajon.
“Flitet për 2 miliardë dollarë investim, e cila në të vërtetë është një shifër e konsiderueshme dhe ne kurrë nuk e kemi patur jo në Shqipëri, por dhe në rajon një shifër të tillë të investimit. Ajo çfarë do të sjellë ky investim në rritjen e ekonomisë në mënyrë direkte apo indirekte do jetë akoma dhe më e madhe”, tha ajo.
Balluku shtoi se do preken një sërë fusha, si turizmi, peshkimi gjithashtu, pavarësisht se kemi një zonë ku kemi investuar, por parashikohet që porti i peshkimit të kthehet në një zonë argëtimi ku do të ndërtohen restorante, vende të tjera ku mund të kalohet koha dhe e qytetarëve, dhe e turistëve në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Sigurisht, sa i përket ekonomisë, ajo do të pësojë një shpërthim në atë zonë. Jo vetëm për shkak të të gjithë zhvillimit, por sidomos edhe për marinën elitë të jahteve që do ndërtohet aty ku gjendet sot porti i Durrësit”, tha ajo.