/ATSH/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot në Kuvend se zhvillimi i projektit të ballinës ujore së Portit të Durrësit do të ndërtohet nga kompania Symphony Investments që drejtohet nga Mohamed Alabbar, themeluesi i Emaar Properties.
Gjatë interpelancës në Kuvend të thirrur nga deputeti i Partisë Demokratike, Ferdinand Xhaferraj, ministrja shpjegoi procedurën që është ndjekur për këtë projekt.
Sipas ministres, zhvillimi i ballinës ujore të Portit të Durrësit është në kuadër të planit të përgjithshëm kombëtar të shpallur në vitin 2016, përmes së cilit synohet rritja e fuqizimi i porteve në vend.
“Vet investitori është angazhuar edhe publikisht dhe komiteti negociator ka përpara të gjitha aktet se nga do të vijnë paratë për ndërtimin e këtij projekti. Investimi do të kryhet nga kompania Symphony Investments, pronë e Mohamed Alabar”, tha Balluku.
Sipas ministres Balluku, bëhet fjalë për një projekt që përfshin një sipërfaqe prej 24.23 hektarë.
“Ndërtimi i marinës dhe strukturave akomoduese synon punësimin e rreth 12 mijë personave. Projekti do të përbëhet nga 12 mijë banesa rezidenciale, 5 hotele, 850 dhoma. Do të ketë rreth 80 mijë metra katror park dhe hapësirë të gjelbra. 280 poste për parkimin e anijeve që diferencojnë nga anije të mëdha te ato të vogla”, tha Balluku.
Ministrja po ashtu u shpreh se porti i peshkimit do të jetë pjesë e integruar e projektit.
“Nuk do të preket porti i peshkimit, nuk do të ndërtohet në zonën e basenit të peshkimit do të përmirësohet infrastruktura duke ofruar edhe shërbime, restorante aktivitete argëtuese për fëmijë dhe të rritur . Janë marrë masa për të mos patur konflikt”, tha ajo.
Ministrja më tej, vuri në dukje se faza e parë parashikon ngritjen e 4 mijë apartamenteve.
“Projekti do të përmirësojë pamjen e qytetit, ekonominë, jo vetë të Durrësit. Ky projekt do të kthejë Shqipërinë në pikë më atraktive për Ballkanin dhe Mesdheun”, deklaroi Balluku.
Ministrja Balluku theksoi në fjalën e saj se në portin e Durrësi kompania “Emaar Group”do të investojë njëlloj si në Mal të Zi.
Sipas saj, rivalitizimi i porteve dhe moleve ekzistuese është gur themeli për zhvillimin detar dhe do të ndërtohet vizioni që do të ndërlidhë funksionet e ekonomisë dhe turizmit.
Ministrja tha se janë parashikuar ndërhyrje të thella në Porto Romano pikërisht për t’ju përgjigjur këtij vizioni.
“Për Portin e Porto Romanos kanë marrë pjesë në një garë ndërkombëtare 14 kompani”, tha Balluku. Në Durrës ka patur ankesa e protesta për shkak të shqetësimeve që ka sjellë Porti i Durrësit duke nisur nga trafiku, ndotja e mjedisit dhe akustike. Duke u bazuar në planet kombëtare është marrë vendim për transferimin e këtij porti shumë para se të merrej vendimi për ballinën ujore të Portit të Durrësit”, tha ajo.
Deputeti Xhaferaj e konsideroi projektin për ndërtimin e ballinës ujore të Durrësit si aferën më të madhe korruptive, ndërsa u bëri thirrje deputetëve të mos e votojnë projektin dhe të zmbrapsin këtë aferë sipas tij “korruptive”.
“Qeveria nuk ka në qendër të saj interesat e qytetarëve. Ligji parashikon marrëveshjen me Emiratet e Bashkuara Arabe. Citohet se kjo marrëveshje nuk i nënshtrohet asnjë procedure të prokurimit publik. Procedura e ndjekur është në kundërshtim me marrëveshjet e nënshkruara nga vet ju. Projekti shmangu konkurencën dhe transparencën. Porti i Durrësit është një aferë korruptive”, tha ai.



























