ATSH/ Në qytetin e Beratit ditët e fundit ka nisur puna për restaurimin e shtëpisë së familjes Braho në lagjen”Kala”, e cila i është nënshtruar procesit të restaurimit të fasadës.

Sipas Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kombëtare Berat restaurimi po kryhet në bashkëpunim me CHWB-Albania dhe ndërhyrja konsiston në restaurimin e fasadës në mur me skelet druri (restaurim dhe zëvendësim i elementeve drusore të dëmtuar nga lagështia, suvatim i murit çatma në ambientet e jashtme).

Banesat beratase janë një dëshmi e vyer e diversitetit urbanistik dhe arkitektonik, karakteristikë e Beratit.

Qyteti i Beratit është një nga më të vjetrit në Shqipëri, me gjurmët e para të cilat datojnë që 2600-1800 para Krishtit. Ka edhe qeramika që nga shekulli i 7 apo 6. Banorët e Beratit janë quajtur në fillim ilirë, më pas arbër dhe në fund shqiptarë.

Zona e Kalasë ka fortifikime guri që nga gjysma e parë e shekullit të 4-t. Në kohët e lashta ai ishte i njohur si Antipatreja Berat, një qytet i fortifikuar që ka arritur t’u rezistojë legjioneve romake të së kaluarës./k.s/j.p/