Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka bërë bilancin e arritjeve të OFL gjatë vitit 2020 teksa i ftonte të gjithë deputetët që të miratojnë aktin normativ në mënyrë që të vijojë goditja ndaj krimit të organizuar, krimeve të rënda apo luftës kundër terrorizmit.

Në fjalën e tij në seancën plenare, Çuçi përmendi rastin e një personi të dënuar për krime të rënda, prona e të cilit është konfiskuar dhe ka kaluar në pronësi të komisariatit të policisë së Lushnjes.

Bledi Çuçi: Akti normativ parashikon shtyrjen e afatit për veprimtarinë  e SPAK dhe GJKKO për të gjithë dosjet e referuara nga OFL gjatë vitit 2020. Dua të them që duhet të jetë e qartë që kjo shtyrje nuk parashikon shtyrjen e veprimtarisë së OFL, ajo është mbyllur në 21 dhjetor 2020, por në interpretim të ligjit që krijoi OFL rrezikonin që dosjet që gjykoheshin nga SPAK dhe GJKKO do të gjykoheshin dhe transferoheshin në gjykatat e rrethit për arsye të humbjes së kompetencës lëndore. Me këtë ndryshim, nuk bëjmë gjë tjetër veçse shtyjmë afatin e dosjeve të çuara gjatë vitit 2020 nga OFL në SPAK dhe GJKKO në mënyrë që të gjitha të përfundojnë procesin e hetimit dhe gjykimit.

OFL si pjesë thelbësore e operacionit të policisë kundër krimit të organizuar dhe aseteve kriminale pati një efekt të ndjeshëm në uljen e kurbës së krimit dhe korrupsionit në vend. Rezultatet do të mbeten në histori si moment kulmor i forcës goditëse kundër botës kriminale. Në thelbin e tij, OFL synon heqjen e pasurive nga duart e krimit dhe rialokimin e tyre në shërbimin e komunitetit dhe institucionit. Në vlerësimin tonë, po arrin qëllimin për të cilin u kërkua dhe akti normativ rreth një vit më parë. Ky operacion u vu në gjurmimin e pasurive të deklaruara të fshehura të personave të dënuar apo të proceduar për vepra penale në fushën e krimeve të rënda, krimin e organizuar apo terrorizmit.

Sot jemi në situatën kur mund të bëjmë një vlerësim të përgjithshëm të këtij operacioni. Rastet e bujshme janë të shumta, por më lini të kujtoj vetëm rastin e një shtetasi tashmë të dënuar për krime të rënda dhe me vendim të komitetit për masat kundër krimit të organizuar, vetëm një ditë më parë, prona e konfiskuar me vendim gjykate ndaj këtij shtetasi kaloi në pronësi të komisariatit të policisë së Lushnjes. Një ndër qëllimet e OFL është përçimi i një mesazhi të fortë drejt botës së krimit se sado të përpiqen të fshihen pasuritë nuk do t’i gëzojnë dot pasi do të vijë dita që do të konfiskohen dhe kthehen në shërbim të publikut.

Shënjestra e këtij operacioni janë pasuritë e krijuara nga krimi i organizuar. Nga të dhënat e OFL rezulton se në harkun e 11 muajve, nga data e nisjes zyrtare të operacionit deri në mbyllje të tij, janë referuar në SPAK 243 dosje për 1877 pasuri me burim të dyshimtë. ato përfshijnë emrat e 255 personave, subjekte të këtij ligji. Nga këto referime, Gjykata e Posaçme ka dhënë vetëm 105 vendime për 641 pasuri deri në 31 Dhjetor. Ndër to,  314 janë pasuri të paluajtshme, 224 janë pasuri të luajtshme, 98 aktivtitete tregtare dhe 5 llogari bankare.

Arsyeja përse kërkojmë miratimin e këtij akti është pikërisht kjo, që SPAK dhe GJKKO të mbyllë të gjitha proceset penale dhe të marrë vendim për të gjithë pasuritë me burim të dyshimtë. Ju ftoj që ta miratojmë këtë akt kaq të rëndësishëm.

Top Channel