Drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj deklaroi këtë mbrëmje në një intervistë televizive se duke parë ecurinë e viruseve të tjera në dy dekadat e fundit, COVID-19 mund të përfundojë ciklin e tij, dhe të shkatërrohet gjatë kësaj vere.

“Tani, unë nisem nga eksperienca e të gjitha sëmundjeve, që ne patëm në dy dekadat fundit si Sarsin dhe Mersin. Të dyja sëmundjet patën një agresivitet dhe vdekshmëri më të madhe se COVID-i tani. Këto dy infeksione që ishin e njëjta familje nuk patën një përsëritje dhe zgjatën 6 muaj. Ky virus do të bëjë ciklin e tij 6-mujor. Gripi është ai që shfaqet vit pas viti, por jo Sarsi dhe Mersi. Nuk është çudi që edhe ky virus në verë do të jetë drejt shkatërrimit për të gjitha këto kushte qe ne thamë”, tha ai.

Mjeku theksoi se masat e marra dhe distancimi social prodhoi uljen e shkallës së infektueshmërisë në vendin tonë.

“Virusi kur nuk gjen kushte detyrimisht shkatërrohet dhe nuk përcillet më, nuk mund të jesh mbartës si person i infektuar. Distancimi social solli uljen e rasteve. Premisat janë shumë pozitive, nga rritja e temperaturës, popullsia më e re e Shqipërisë. Ajo që ne duam me lirimin e masave, është që le të ketë rritje të infeksionit me 0.2%, nuk është ky problemi. Problemi është që mos të kemi rritje drastike të numrit dhe mos të vihemi në kushtet se “kë duam të trajtojmë”, – tha ai.

Sipas tij, vaksina ndaj COVID-19 do të jetë gati në një kohë relativisht të shkurtër.
“Unë mendoj se do të dalë shumë shpejt vaksina e COVID-19, sepse ka vënë në gjunjë shtete të fuqishme”, tha Brataj. z.tosku/j.p/r.e/atsh