Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj tha se, “Elbasani është një nga qarqet më të rëndësishme që kontribuon në prodhimin e përgjithshëm bujqësor të vendit”.
E pranishme në takimin e sotëm me fermerë të Cërrikut, ku merrte pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, ministrja Denaj theksoi se në 10 vitet e fundit është bërë një punë e madhe falë mbështetjes dhe kontributit të fermerëve dhe bizneseve bujqësore.
“Duke rritur sidomos prodhimet në perime, e tha pak më parë kryetari, duke e dërguar atë në gati 100 mijë tonë në drurët frutorë në gati 40 mijë tonë në rrushin që është një produkt autokton i juaj me gati 30 mijë tonë, prodhimi i qumështit me gati 80 mijë tonë dhe janë këto sukseset tuaja të cilat jemi shumë krenarë dhe përpiqemi në çdo moment t’i mbështesim”, tha Denaj.
Ministrja e Bujqësisë theksoi se në këtë zonë mbështetja është e drejtpërdrejtë, sidomos në investime. “Janë 56 investime në ndërtime serrash, pika grumbullimi, fabrika të vajit të ullirit, që na bën të gjithëve krenarë, sepse me certifikatën bio që ka prodhimi i vajit të ullirit në zonën tuaj tregtohet në Itali, Kanada dhe Amerikë. Këto janë shembuj të suksesit që duam ti dërgojmë përpara jo vetëm me 56 investime dhe 6 milionë euro grante të mbështetura në 10 vitet e fundit, por shumë më tepër, falë iniciativave, nismave tuaja dhe mbështetjes së një pakete të rëndësishme financiare që qeveria shqiptare ka vënë në dispozicion e kemi filluar këtë vit me Kryeministrin, me Guvernatorin, me bankat e nivelit të dytë me një lajm shumë të mirë: e kemi nisur me një mbështetje me kredi të butë me një vlerë 250 milionë euro për mbështetje të bizneseve SME me një normë interesi që fillon nga 3,5%, por vetëm për bujqësinë. Për nismat në bujqësi do të shkojë jo vetëm në 2% dhe njëkohësisht risku i mungesës së kolateralit me 70% të saj, falë garancisë sovrane”, tha Denaj.
“Brenda muajt korrik do ta dërgojmë atë në 2% dhe kjo është mbështetja më e rëndësishme dhe e para e këtij lloj për gjatë gjithë viteve të tranzicionit në sektorin e bujqësisë, që mendojmë se do ta dërgojë bujqësinë në 5 vitet e ardhshme në një piedestal tjetër aty ku e meriton për tregje ndërkombëtare që sot nuk janë pak, janë 80 tregje ndërkombëtare dhe kjo zonë, zemra e Shqipërisë, meriton të jetë në vëmendje të kësaj mbështetje financiare por mbi të gjitha të ketë nisma nga ju”, shtoi ajo.
Denaj solli në vëmendje problemin e fragmentarizimit.
“Sigurisht që bujqësia shqiptare ballafaqohet me probleme të fragmentarizimit, sipërfaqe të vogla të cilat ne i nxisim drejt bashkimit të operatorëve dhe vetëm vitin e kaluar bashkimi mes jush prodhoi 322 grupe të fermerëve. Duam që këtë bashkim ta vazhdojmë edhe me grumbulluesit, edhe me institucionet e tjera, të cilat nxisin vajtjen në tregje në prodhimeve cilësore dhe ekonomi shkalle, prandaj na duhet puna juaj, por edhe mbështetja financiare”, tha Denaj.