TIRANË, 8 qershor /ATSH/ -Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi gjatë ditës së sotme një bisedë telefonike me ministren për Fqinjësinë Europiane dhe Amerikat të Mbretërisë së Bashkuar, Wendy Morton.

Diskutimi u fokusua veçanërisht në bashkëpunimin e shkëlqyer në kuadër të OSBE-së dhe në synimin e Shqipërisë për të shërbyer si anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në 2022-2023.

“Mbretëria e Bashkuar vlerëson lart ujdinë ndërpartiake për Reformën Zgjedhore dhe mbështet fuqishëm rrugën europiane të Shqipërisë”- u shpreh Cakaj, referuar bisedës telefonike.

Gjithashtu, të dy ministrat u dakordësuan për të vazhduar bisedimet për lidhjen e disa marrëveshjeve, me qëllim thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

ATSH