/ATSH-ANSA/ – Kam firmosur një rregullore të re që shton Serbinë, Malin e Zi dhe Kosovën në listën e vendeve në rrezik, deklaroi sot ministri italian i Shëndetësisë, Roberto Speranza në një shënim në Facebook.
“Ata që kanë qenë në 14 ditët e fundit në këto territore kanë një ndalim të hyrjes dhe tranzitit në Itali. Në botë, kjo pandemi është në fazën më të vështirë. Ne kemi nevojë për kujdes maksimal për të mbrojtur përparimin që kemi bërë deri tani”, shtoi ministri.
Urdhri i nënshkruar sot nga ministri i Shëndetësisë Roberto Speranza parashikon bllokimin e fluturimeve ajrore, trenave dhe të gjitha mjeteve të tjera të transportit për lidhjen me/dhe nga Serbia, Mali i Zi dhe Kosova.
Të tre vendet u shtuan në listën e vendeve me rrezik për pandeminë nga Covid-19.
Aktualisht, ndalesa ka të bëjë me 16 shtete, Armeninë, Bahreinin, Bangladeshin, Brazilin, Bosnje-Hercegovinën, Kilin, Kuvajtin, Maqedoninë e Veriut, Moldavinë, Omanin, Panamanë, Perunë, Republikën Dominikane, Serbinë, Malin e Zi dhe Kosovën./ /os/