-Ministria e Drejtësisë për të garantuar vazhdueshmërinë dhe fuqizimin e aksesit të qytetarëve në drejtësi, do të vijojë ofrimin e ndihmës juridike falas edhe përmes platformës online.
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj njoftoi sot se kjo nismë vjen në kuadër të zbatimit të distancimit social për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
“Për të garantuar vazhdueshmërinë dhe fuqizimin e aksesit të qytetarëve në drejtësi, do të vijojë ofrimin e ndihmës juridike falas edhe përmes platformës online”,- thekson Gjonaj.
“Kjo nismë vjen në kushtet e kufizimit të lëvizjes dhe masës së distancimit social, për shkak të pandemisë COVID-19. Për të realizuar aplikimin hyni në faqen e internetit Juristionline.al. Plotësini formularin online, ku mund të adresoni pyetjet për çështje civile, familjare, administrative dhe penale, por edhe mbi të gjithë legjislacionin e miratuar në kuadër të parandalimit të hpërhapjes së virusit COVID-19”,- sqaroi ministrja.
“Një nga 11 juristët e angazhuar në këtë platformë do të kthejë përgjigje nëpërmjet adresës së e-mailit, ose numrit të kontaktit, të dhënat janë konfidenciale. Kjo inciativë e marrë nga Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë për t’i garantuar ndihmë juridike çdo qytetari në Republikën e Shqipërisë”,- theksoi Gjonaj. /j.p atsh