ATSH/ Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, u shpreh sot për një sërë masash lehtësuese në shërbime të ndryshme që ju ofrohen qytetarëve nga institucionet në varësi të kësaj ministrie.

Gjatë një interpelance me qytetarë të interesuar mbi ndryshimet dhe thjeshtësimin e procedurave për ri-aplikim për pasaportë biometrike si edhe saktësimin e adresave si pasojë e projektit të popullimit, ministri Çuçi tha se “kemi hequr penalizimin në rast të mos plotësimit të dispozitës për ndryshimin e vendbanimit”.

“Tashmë nuk aplikohet gjobë në rast se ka kaluar afati 30 ditor i deklarimit të ndryshimit të vendbanimit, kështu që të përfitojnë nga ky lehtësim për ta bërë sa më shpejtë këtë deklarim pa pasur ndonjë penalitet”- tha ministri.

Ndërsa shtoi se, “nuk ka më gjobë për kalimin e afatit 30 ditor të ndryshimit të vendbanimit, ndaj mund të shkoni lehtësisht në zyrat e Gjendjes Civile dhe mund ta bëni lehtësisht këtë ndryshim pa u penalizuar”.

Lidhur me afatet e rinovimit të ID, Çuçi tha se, “deri tani në fakt pavarësisht nga mosha për të gjithë shtetasit aplikohej i njëjti afat i skadencës së kartës së identitetit, që kanë  afat 10 vjeçar”.

“Tashmë ne kemi bërë ndryshimet përkatëse në mënyrë që shtetasit mbi 75 vjeç, kur aplikojnë për të marrin ID e marrin atë të përjetshme. Pra nuk ka nevojë më, që në rast se u skadon të marrin një dokument tjetër”, – theksoi Çuçi.

“E kemi marrë vendimin dhe duhet të ratifikohet në Kuvend dhe ai hyn në fuqi menjëherë, u shpreh ai.

Ministri tha se, “kemi shtyrë dy herë për një kohë relativisht të shkurtër afatin e skadencës së ID për arsye madhore siç ishte rasti i pandemisë, tashmë jemi në një proces që po nxisim qytetarët të aplikojnë në zyrat e Gjendjes Civile për të rinovuar kartat e tyre të ID që u kanë skaduar”.

Gjithashtu tha ai, në listat e votuesve që do të publikojmë këtë herë do të markojmë ata të cilëve u ka skaduar dokumenti i identitetit në mënyrë që të nxisim me tej këtë proces për rinovimin e kartave të ID.