ATSH/- Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për të pezulluar vendimin për Genci Sinjari, ish-gjyqtar pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Durrës, i cili dha dorëheqjen pak para se të kalonte vetingun dhe tashmë nuk gëzon më të drejtën të jetë gjyqtarë.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit shpalli sot vendimin në ngarkim të Sinjarit, i cili dha dorëheqjen para vetingun e për pasojë ndaj tij u ndërpre, teksa ai nuk gëzon më të drejtën për t’u emëruar gjyqtarë.
Ina Rama, kryesuese trupës në KPA, e shoqëruar relatori Sokol Çomo dhe treshja e gjyqtarëve: Albana Shtylla, Luan Daci, Rezarta Schuetz, lexuan vendimin, që lë në fuqi vendimin e KPK për Sinjarin.
Në shkallën e parë, Komisioni i pavarur i kualifikimit deklaronte se “ Komisioni është vënë në dijeni të dorëheqjes së subjektit Genci Sinjari“nga funksionet e magjistratit” dhe me vendimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë për mbarimin e këtij statusi. Komisioni çmon se subjekti i rivlerësimit ka shfrytëzuar të drejtën që i njeh Kushtetuta për dorëheqje. Kjo sjell si pasojë përfundimin e kësaj procedure administrative dhe, si rrjedhojë, subjekti i rivlerësimit humbet të drejtën për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare, sipas parashikimeve të pikës 2 të nenit G të Aneksit të Kushtetutës”.
Në këto rrethana Komisioni Vendosi që: “Të deklarojë se procesi i rivlerësimit kalimtar për subjektin e rivlerësimit, Genci Sinjari, është ndërprerë. Të deklarojë humbjen e së drejtës të subjektit të rivlerësimit për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare”.
Kolegji i Posaçëm Apelimit la në fuqi pikërisht këtë vendim të shkallës së parë.