Dhjetë ndeshje skualifikim, pa të drejtën e qendrimit në ambjentet rreth fushës. Kaq vlen sipas Komisionit të Disiplinës dhunimi i arbitrit kryesor të takimit Laçi-Kukësi, Kreshnik Bajramaj, në përfundim të ndeshjes nga zyrtari i Lacit, Naim Halilaj. Incidenti ndodhi menjëherë pasi përfundoi takimi me Kukësin fituar nga kurbinasit 3-2.

Nuk ka shkuar mirë edhe për Apoloninë nervi i treguar pas ndeshjes në Elbasan Arena. Gjobë në masën 200.000 lekë për klubin fierak, që, urdhërohet të dëmshpërblejë gjithashtu edhe dëmet e shkaktuara në dhomat e zhveshjes në Stadiumin “Elbasan Arena” brenda 15 ditëve.

Vendimet e Komisionit të Disiplinës së FSHF datë 13.01.2021

1. FK Apolonia, për sjellje të gabuar të lojtarëve, në bazë të neneve 64/1, 64/4 dhe 64/5 të KDS, dënohet me gjobë në masën 200.000 (njëqind mijë) lekë.
FK Apolonia, urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në dhomat e zhveshjes në Stadiumin “Elbasan Arena” sipas akt konstatimit, brenda 15 ditëve.
2. Zyrtari i KF Laçi, Naim Halilaj, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 48/2/a të KDS, dënohet me 10 (dhjetë) ndeshje pezullim nga aktiviteti. Në zbatim të nenit 19 të KDS, zyrtarit i ndalohet qëndrimi në dhomat e zhveshjes, stolin e rezervave dhe ambientin përreth fushës.
3. KF Pogradeci U-17, për braktisjen e ndeshjes së vlefshme për turin 1/16 të Kupës së Shqipërisë, kundër Vora U-17, në bazë të nenit 54/1 të KDS dhe nenit 30/2 të Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike, humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0 dhe përjashtohet nga gara për sezonin aktual si dhe atë pasardhës të Kupës së Shqipërisë.
4. KF Pogradeci U-19, për braktisjen e ndeshjes së vlefshme për turin 1/16 të Kupës së Shqipërisë, kundër FC Besa U-19, në bazë të nenit 54/1 të KDS dhe nenit 30/2 të Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike, humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0 dhe përjashtohet nga gara për sezonin aktual si dhe atë pasardhës të Kupës së Shqipërisë.
5. Lojtari i Durrësi 04 U-19, Biorni Elezi, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit, në bazë të nenit 47/1/d të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
6. Lojtari i KF Shkodra U-19, Alfred Kacaj, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit, në bazë të nenit 47/1/d të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
7. Lojtari i Durrësi 04 U-19, Mateo Hasibra, për sulm ndaj kundërshtarit, në bazë të nenit 47/1/e të KDS, dënohet me 5 (pesë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
8. Lojtari i Iliria U-19, Sebastian Cela, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 48/1/a të KDS, dënohet me 10 (dhjetë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
9. Lojtari i Iliria U-19, Ernik Paloka, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 48/1/a të KDS, dënohet me 8 (tetë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
10. Lojtari i Iliria U-19, Robert Mesi, për lojë të rendë ndaj kundërshtarit, në bazë të nenit 47/1/b të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
11. Pranimin e kërkesës së lojtarit të KF Turbina, Dorjan Bajrami, duke pezulluar zbatimin e pjesës së mbetur të dënimit. Në bazë të nenit 32/2/4/5 të KDS, lojtari vendoset në provë për një afat 6 (gjashtë) mujor dhe në rast të përsëritjes të shkeljes disiplinore gjatë periudhës së provës, dënimi i pezulluar i shtohet dënimit të ri.
12. Rrëzimin e kërkesës së lojtarit të Vora, Segerso Geci, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës Sportive.
13. Rrëzimin e kërkesës së KF Shkumbini, Daniel Ramazani, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës Sportive.